Agim Kasapolli i ashpër: Edhe FFK-ja duhet t’i pranojë dobësitë që i ka

Agim Kasapolli i ashpër: Edhe FFK-ja duhet t’i pranojë dobësitë që i ka

Sport December 06, 2019 - 21:03

Gazetari Agim Kasapolli e ka kritikuar Federatën e Futbollit të Kosovës, duke ia numëruar sekretarit të përgjithshëm të këtij organi, Eroll Salihut, të gjitha të këqijat në sy.

Federata e Futbollit e Kosovës është trazuar gjatë ditëve të fundit shkaku i pretendimeve për postin e kryetarit, pozitë kjo të cilën e mban Agim Ademi.

Përderisa Agim Kasapolli beson se ankesat për mandatin katërvjeçar të Ademit janë shumë me vonesë dhe se ai tashmë e ka mandatin deri në vitin 2022, Kasapolli beson se FFK-ja i ka disa probleme të tjera.

“Duhet t’i pranoni edhe ju disa dobësi që i keni brenda aty. Që keni pasur ju probleme dhe që keni ende, kjo është e vërtetë. Kosova nuk është shtet mbretëror, por parlamentar. Nuk ka djali i këtij, nusja e këtij, ju keni nepozitëm brenda. Këtë duhet ta përmirësoni”, ka thënë Kasapolli në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Ju e keni trashëguar administratën aty, mirëpo esenca e kësaj pune është që secili ta dijë punën e vet. Ju keni marrë edhe gazetarë me vete, i keni paguar dhe tani ata gazetarë s’po munden ta qelin gojën”.

“A ka gisht politika? Kush tjetër, babai i tij ka vdekur moti. Të gjitha Federatat, në këtë rast edhe futbolli, janë politizuar deri në maksimum. Gabimi i tyre është shumë i madh”.

“Unë e di, para ndeshjes me Malin e Zi ose me Bullgarinë, këta e kishin të premten ditë të lirë. Kadri Veseli i shtyu të dalin në terren, me Memli Krasniqin, dhe e kanë bërë një stërvitje të improvizuar”.

Kasapolli gjithashtu beson se sistemi zgjedhor – e jo vetëm në Federatën e Futbollit, por në të gjitha Federatat – duhet të ndryshojë në mënyrë që të shmangen situatat e tilla në të ardhmen.