Kualifikohen Dortmundi, Lyoni, Valencia e Chelsea, eliminohet Interi

Kualifikohen Dortmundi, Lyoni, Valencia e Chelsea, eliminohet Interi

Sport December 10, 2019 - 22:58
Detajet

Borussia Dortmundi, Lyoni, Valencia dhe Chelsea janë skuadrat që e kanë siguruar kualifikimin tutje në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, shkruan zeri.info

Borussia Dortmundi triumfoi 2:1 në shtëpi ndaj Slavia Pragës, duke dalë para Interit, që u mposht 2:1 në shtëpi nga Barcelona, e cila e kishte siguruar më herët kualifikimin nga grupi F.

Jadon Sancho shënoi golin e parë për gjermanët në minutën e 10-të, derisa mysafirët arritën që ta barazonin rezultatin me anë të Tomas Soucekit në minutën e 43-të. Ndërkohë, golin e fitores për Dortmudnin e realizoi Julian Brandt në minutën e 61-të. Klubi gjerman mbeti me një futbollist më pak pas përjashtimit të Julian Weigl në minutën e 77-të, por deri në fund rezultati më nuk ndryshoi dhe Dortmundi u kualifikua tutje nga pozita e dytë në grup.

Interi pësoi disfatë në shtëpi nga Barcelona, duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve, derisa tash do të luajë në fazën nokaut të Ligës së Evropës.

Carles Perez shënoi për katalunasit në minutën e 23-të, kurse para fundit të pjesës së parë Interi arriti të barazojë përmes Romelu Lukakut (44’).

Kurse, golin e fitores për katalunasit e shënoi Ansu Fati në minutën e 87-të.

Lyoni u kualifikua tutje në grupin G pas barazimit 2:2 në shtëpi ndaj Leipzigut.

Ndërsa, në grupin H, Valencia e befasoi Ajaxin në udhëtim duke fituar 1:0 dhe duke u kualifikuar nga pozita e parë në grup. Golin e vetëm për spanjollët e shënoi Rodrigo në minutën e 24-t.

Nga ky grup tutje u kualifikua edhe Chelsea, që triumfoi 2:1 ndaj Lillet. Tammy Abraham (19’) dhe Cesar Azpilicueta (35’) realizuan për Chelsean, kurse golin e vetëm për Lillen e shënoi Loic Remy (78’)./Zëri