Samir Sahiti: Të bëhet fillimisht mirë për Vëllaznimin e pastaj edhe për ne lojtarët

Samir Sahiti: Të bëhet fillimisht mirë për Vëllaznimin e pastaj edhe për ne lojtarët

Sport December 14, 2019 - 12:14
Zbuloni detajet

Njëra nga skuadrat më me traditë në futbollin e Kosovës, e cila dikur ishte edhe krenaria jonë, sot po kalon momentet më të rënda në historinë e saj, shkruan Zëri.info.

Fjala është për Vëllaznimin e Gjakovës, i cili sot duket i braktisur dhe për gjynah. Askush nuk i ofrohet duke e lënë në mëshirën e trajnerëve dhe të lojtarëve, që po vazhdojnë të luajnë pa para vetëm e vetëm të mos e lejojnë klubin vetëm.

Por deri kur mund të vazhdojë kështu? Drejtuesit e klubit kanë paralajmëruar se pa një ndërhyrje të shpejtë gjërat mund të bëhen të parikuperueshme. Situata financiare është e rëndë.

Ata që më së shumti po vuajnë aktualisht me situatën e Vëllazimit pa dyshim janë vetë lojtarët, të cilët kanë një kohë që luajnë në mënyrë pothuaj vullnetare, pasi nuk kanë asnjë mbështetje. Ish-futbollisti i shumë skuadrave kosovare Samir Sahiti, i cili aktualisht është pjesë e Vëllaznimit ka thënë se kjo gjendje i ka lodhur edhe psikikisht. “Është situatë shumë e keqe në klubin e Vëllaznimit. Kemi sakrifikuar shumë këta 6 muaj dhe ende nuk ka asgjë të re. Ne si futbollistë jemi në pritje të ndonjë informate pozitive, sigurisht lojtarët nuk janë në gjendje të mirë psikike dhe nuk e dinë të ardhmen e klubit e të ardhmen e tyre, ngase kjo është puna më të cilën jetojmë ne”, ka thënë Sahiti për gazetën “Zëri”, duke besuar se në një të ardhme të afër do të gjendet një zgjidhje e mirë. “Shpresojmë shumë të bëhet mirë së pari për klubin e pastaj edhe për lojtarët”, ka përfunduar Sahiti.

Vëllaznimi stinorin vjeshtor në Ligën e Parë të Kosovës në futboll e ka mbyllur në pozitën e 13-të me vetëm 16 pikë dhe rrezikon shumë seriozisht të bjerë në një kategori edhe më poshtë çka vërtet do të ishte lajm jo i mirë për këtë skuadër. /Zëri.info