U akuzua se donte të vriste serbin, reagon ish-futbollisti i Real Madridit

U akuzua se donte të vriste serbin, reagon ish-futbollisti i Real Madridit

Sport January 20, 2020 - 23:55

Ish-futbollisti i Real Madridit dhe kombëtares së Spanjës Raul Bravo përgënjeshtroi lajmet se ai ka gisht në atentatin kundër ish-shokut të skuadrës te Olimpiakosi Darko Kovaçeviç, ngjarje e ndodhur në 7 janar në periferi të Athinës.

Në një deklaratë për median spanjolle “Diario” Bravo tregon se ka folur vetë pas ngjarjes me ish-sulmuesin e Juventusit dhe Serbisë Kovaçeviç.

Ai thekson se këto lajme të përhapura bëhen për të shtuar të ardhurat e këtyre mediave nga shitjet e gazetave.

Image

“Një gazetë në Serbi raportoi ngjarjen e ndodhur dhe u befasova kur pashë në lajme se paskam urdhëruar vrasjen e Kovaçeviçit. E vetmja gjë që ka rëndësi për këto media është të shesin sa më shumë duke thënë se unë doja që të vritej Kovaçeviçi. Është një histori e pakuptimtë dhe e çmendur. Me Darkon kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Kjo histori është e tëra një sajesë, nuk ka as krye, as fund.

Darko nuk është përfshirë ndonjëherë në probleme dhe ai nuk e di se përse i ka ndodhur kjo ngjarje. Ai ka fituar shumë para nga futbolli. I kam thënë të rrijë i qetë. E di që në shtëpinë e tyre janë pak të frikësuar tani. Vetë Darko do të ketë qeshur kur ka parë këto lajme. Më mori në telefon pas dy ditësh”, përfundon rrëfimin ish-mbrojtësi spanjoll Raul Bravo.

Mediat serbe raportuan përpara disa ditësh se pas atentatit me armë zjarri në Greqi ndaj ish-futbollistit Darko Kovaçeviç fshihej ish-lojtari madrilen Raul Bravo duke pretenduar se Kovaçeviç kishte dijeni për skemat mafioze të shitjes së ndeshjeve në kampionatin spanjoll.

Bravo u arrestua me disa ish-futbollistë në Spanjë vitin e kaluar nga operacioni “Oikos” ku u zbuluan se disa ndeshje të sezoneve 2016-2017 dhe 2017-2018 në kampionatin spanjoll ishin fiksuar nga këto persona./Panorama