Dikujt ‘Po’ e dikujt ‘Jo’, FFK i dallon klubet e futbollit kosovar

Dikujt ‘Po’ e dikujt ‘Jo’, FFK i dallon klubet e futbollit kosovar

Sport February 24, 2020 - 15:53
DETAJET

Federata e Futbollit e Kosovës tash e një kohë ua paguan shpenzimet e gjyqtarëve klubeve të Superligës së atyre të Ligës së Parë të Kosovës, shkruan Zëri.info.

Një gjë e tillë është bërë për t’ua lehtësuar sadopak shpenzimet e shumta që i kanë klubet kosovare.

Gjithsesi, këtë privilegj nuk e kanë edhe klubet e Ligës së Dytë të Kosovës. Edhe pse shumica e tyre “vuajnë” për shkak të kushteve financiare, ato janë të detyruara që shpenzime e referëve t’i paguajnë me buxhetet e tyre.

Drejtori i Bashkimit të Koretinit, Isah Hoda, në një prononcim për Zëri.info vlerëson se FFK do të ishte mirë që ta bënte një zgjidhje edhe për klubet e Ligës së Dytë.

Ai njofton se javën e kaluar klubet e Ligës së Dytë i kanë marrë nga 5 mijë euro nga FFK.

“Ato që po na i japin, edhe pa na i marrin. Më mirë të na kishin paguar referet se të na jepnim nga 5 mijë euro. Pse të paguhet Superliga e Liga e Parë e ne jo. A jemi edhe ne në Kosovë?. FFK do te kishte qenë mirë që të na shlyente obligimet edhe neve pasi që dihet sa janë shpenzimet dhe si funksionojmë ne klubet e Ligës së Dytë. Klubet e Superligës i marrin nga 12 mijë euro dhe u paguhen referët kurse neve jo", ka thënë Isah Hoda për Zëri.info.

Image

Hoda thotë se një klubi për një ndeshje i kushtojnë gjyqtarët 340 euro. “340 euro kushtojnë referët në një ndeshje, kurse 15 ndeshje i zhvillojmë si vendas në një edicion”, përfundoi Hoda.

Zëri.info e ka kontaktuar edhe drejtorin e klubit KF Gjakova, Gëzim Daka, i cili për dallim nga Hoda, është shprehur se FFK po e bën maksimumin për t’i ndihmuar klubet.

“FFK po mundohet që të na ndihmojë në çdo mënyrë. Së fundmi FFK na ka shpërndarë nga 5 mijë euro dhe në njëfarë mënyrë, na ka shlyer obligimet që kemi ndaj gjyqtarëve. Është një zotim i Agim Agimit (kryetar i FFK-së) që t’i ndihmojë në çdo mënyrë klubeve kosovare edhe të kategorive të ulëta. E falënderojmë për punën dhe përkushtimin që FFK po tregon ndaj klubeve”, pohoi Daka.

Image

Eroll Salihu: FFK nuk ka mundësi t’i paguajë gjyqtarët për klubet e Ligës së Dytë

Çështjen në fjalë e ka komentuar edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

“Superligës dhe Ligës së Parë ua kemi kryer shpenzimet e gjyqtarëve pasi që kanë shpenzime më të mëdha. Ua kemi hequr edhe kuotizime. Klubet e Ligës së Dytë kanë shpenzime më të vogla. Atyre nuk mund t’ua paguajmë referët, por u kemi ndihmuar në forma të ndryshme si me pajisje sportive e gjëra të tjera”, ka thënë Eroll Salihu për Zëri.info.

“Në të ardhmen, të gjitha klubet duhet që vet t’i paguajnë shpenzimet, edhe gjyqtarët”, përfundoi Eroll Salihu. /Zëri.info

Image