Prishtina e gatshme për Ballkanin, synon ta rrëmbejë kreun

Prishtina e gatshme për Ballkanin, synon ta rrëmbejë kreun

Sport February 27, 2020 - 08:11

Tabori bardhekaltër është duke i kryer përgatitjet e fundit para ndeshjes të së shtunës ndaj Ballkanit. Trajneri Armend Dallku, kapiteni Armend Thaqi dhe futbollisti Endrit Krasniqi janë të bindur se mund ta mposhtin Ballkanin, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Ejup Llumnica

Të shtunën stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë pret njërën nga ndeshjet më interesante të stinorit pranveror në futbollin kosovar. Prishtina ballafaqohet me kampionin vjeshtor dhe me liderin e tabelës Ballkanin në një sfidë që mund të përcaktojë shumëçka.

Edhe pse ende është shumë herët, pasi deri në fund ka shumë ndeshje dhe shumë pikë në dispozicion, gjithsesi fituesi i kësaj përballjeje vazhdimin do ta ketë shumë më të lehtë, kjo pasi ndikon direkt në motivin e skuadrës. Kjo edhe është arsyeja që Prishtina tash e disa ditë po mendon vetëm për ndeshjen e së shtunës, që nis nga ora 17:00 dhe e bindur që mund t’ia dalë.

Tri pikë dallim në tabelë, Ballkani i pari e Prishtina e treta, bëjnë që rivaliteti të jetë shumë i madh ndërmjet këtyre dy skuadra, por tabori kryeqytetas me qetësi po pret këtë ndeshje, ani pse kundërshtari i tyre Ballkani ka “kërcënuar” që drejt kryeqytetit udhëton me synim për të marrë pikë dhe për ta treguar forcën e vet.

Prishtina të mërkurën në një stërvitje ku prezent ishte një numër i madh i medieve ka shpalosur objektivat e kësaj ndeshjeje, ku sipas tyre vetëm fitorja është synim.

Dallku: Prishtina, skuadra më e fortë në Kampionat

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka ndeshja e së shtunës, por ai nuk mendon se është vendimtare. Gjithsesi, sipas tij, skuadra është përgatitur mirë dhe është gati për këtë ballafaqim. “Jam shumë i gëzuar për lojtarët, pasi janë treguar efikas në fazën e sulmit në këto tri ndeshjet e para me realizimin e golave. Pra aty ku kemi ngecur më së shumti, aty jemi përmirësuar”, ka thënë Armend Dallku, duke e përmendur në këtë rast sulmuesin a ardhur Otto Johnin, por sigurisht që merita është edhe e lojtarëve të tjerë. “Kam kërkuar një sulmues pas përfundimit të stinorit vjeshtor dhe mendoj se e kemi gjetur dhe për këtë flasin statistikat. Megjithatë nuk do të thosha se vetëm John është duke kaluar formë të tillë, pasi janë edhe lojtarët tjerë shumë në formë dhe kjo është e mira e skuadrës”, ka thënë Dallku, duke shtuar se me rëndësi është që ekipi të ketë vazhdimësi. “Nuk dua të kënaqemi me kaq, dua të kemi vazhdimësi siç bën në këto tri ndeshjet e para. Prishtina njihet për lojën sulmuese, kështu që me të marrë postin e trajnerit bashkë më bashkëpunëtorët e mi kemi punuar në krijimin e një loje sulmuese, të cilën besoj se e kemi krijuar”, ka thënë Dallku, duke thënë se edhe në ndeshjen ndaj Ballkanit synojnë të sulmojnë. “Ballkani nuk bën përjashtim nga kundërshtarët e radhës. Ne po e përgatisim ndeshjen si çdo ndeshje tjetër dhe normalisht me synime për ta fituar atë”, ka përfunduar Dallku

Thaqi: Prishtina nuk i frikësohet askujt

Optimist për skuadrën e tij është treguar edhe kapiteni Armend Thaqi, i cili beson në fitore, derisa thotë se skuadra e tij nuk ia ka frikën askujt. “Jemi në formë shumë të mirë dhe luajmë për ta mposhtur Ballkanin. Kjo skuadër nuk është e pamposhtur. Fusha është ideale dhe do të tregojë cila skuadër është më e mirë. Luajmë në fushën tonë dhe nuk kemi pse t’ia kemi frikën asnjë skuadre. Fusha do ta tregojë të vërtetën se kush është ai që do të festojë”, ka thënë fillimisht Thaqi, duke shtuar se ekipi nuk po bazohet vetëm te një lojtar siç është Otto John, që po shënon, por te komplet skuadra, pasi nëse një fazë e skuadrës nuk funksionon, atëherë topi nuk mund të arrijë si duhet te sulmuesi.

Krasniqi: Ballkani favorit, por kjo nuk do të thotë asgjë

Ballkani aktualisht i prin renditjes me 40 pikë, tri më shumë sesa Prishtina, e cila është në pozitën e tretë dhe kjo është arsyeja që futbollisti Endrit Krasniqi ta cilësojë favorit Ballkanin. “Ballkani është në pozitën e parë dhe në Prishtinë vjen si lider, gjë që është normale ta cilësojmë favorite, por kjo nuk u garanton asgjë. Ne tashmë jemi stabilizuar edhe në fazën e sulmit, ku po i realizojmë rastet dhe kjo na bën skuadër më të fortë”, ka thënë Krasniqi, i cili aktualisht po cilësohet si njëra nga pikat më të rrezikshme për skuadrën e Ballkanit. “Prishtina e ka lojën më të mirë në mbrojtje, por trajneri Dallku tash është fokusuar shumë edhe në lojën ofensive dhe kjo po i jep efektet e veta. Pra trajneri Dallku është fokusuar në lojën ofensive dhe këtë punë shumë mirë po e kryejnë Ahmet Januzi dhe Oto John”, ka përfunduar Endrit Krasniqi.

Prishtina e Ballkani janë ballafaquar një herë në këtë edicion dhe ka qenë skuadra e Ballkanit ajo që ka festuar në ndeshjen që u luajt në Therandë. Se kush do të festojë në “Fadil Vokrri” mbetet të shihet, por një është e sigurt, ndeshja do të jetë e jashtëzakonshme./Zëri.info