Batatina kundër anulimit të kampionatit, jep datën kur duhet të rifillojë gara

Batatina kundër anulimit të kampionatit, jep datën kur duhet të rifillojë gara

Sport April 05, 2020 - 13:14
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është kundër anulimit dhe pavarësisht ngjeshmërisë së orarit gara duhet vazhduar dhe jo të mbyllet

Ejup Llumnica

Po bëhen 4 javë që kampionati i Kosovës në futboll është ndërprerë, derisa futbollistët janë duke stërvitur në kushte shtëpie, kjo si masë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Deri tash, askush nuk e dinë se deri kur do të zgjasë kjo pandemi, dhe kjo ka bërë që të nisin zëra se kampionati duhet anuluar, gjë e cila edhe nuk po pëlqehet shumë nga njohësit e futbollit, shkruan Zëri.info.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është kundër anulimit dhe pavarësisht ngjeshmërisë së orarit gara duhet vazhduar dhe jo të mbyllet.

Tekniku llapjan në një bisedë për Zëri.info ka dhënë edhe datën se kur mund të nisë kampionati në Kosovës pasi këtu situata nuk është edhe aq alarmante.Image

“Unë mendoj se kampionati duhet me vazhdu pa marrë parasysh ngjeshmërinë e orarit të ndeshjeve, ndryshe do të prishet gjithçka pasi kemi skuadra ku matematikisht munden mu bë kampion dhe me kap Evropën.

Njëkohësisht kemi edhe skuadra që nuk e meritojnë të largohen nga Superliga në këtë formë, pasi deri në ndeshjen e fundit para ndërprerjes së garave ishin jashtë zonës së rrezikut, tash janë futur me një ndeshje në zonën e kuqe dhe është e padrejtë nëse ndërpritet kampionati dhe ato të bien nga liga”, ka thënë Batatina duke shtuar se ndoshta do të ishte mirë edhe sistemi i garave të ndryshojë jo të mbetet ai që ishte parashikuar në fillim ku të bien katër skuadra.Image

“Duhet të ndryshohet sistemi i rënies nga Liga pra duhet të shkohet me sistem të vjetër që 2 të inkuadrohen në Superligë dhe 2 të dalin nga Superliga. Opsioni tjetër është që skuadrat e para apo 6 skuadrat e para në tabelë, për mos tu ndier të shkelura asnjëra të luajnë në play-off mes veti nga dy ndeshje shkuarje dhe ardhje dhe jemi OK. Pra ky duhet të jetë opsioni i fundit, por gjithsesi them që më e mira është që kampionati me vazhdu”, vlerësoi trajneri i Llapit, skuadra e së cilit nëse nuk është në garë për titull gjithsesi është në garë për një vend që dërgon në Ligat e Evropës, dhe nëse kjo i pamundësohet përmes ndërprerjes së kampionatit, atëherë humbjet financiare për këtë skuadër por edhe për skuadrat tjera do të ishte e madhe.

UEFA në mbledhjen e fundit që pat përmes video-konferencës me 55 federatat evropiane, vendosi që muaji Prill dhe Maj mos të ketë futboll, por më këtë gjë nuk pajtohet trajneri llapjan sipas të cilit në Kosovë situata nuk është aq alarmante.Image

“Stërvitjet duhet të fillonjë me 20 prill, ndërsa ndeshjet të fillojnë nga data 5 maj. Kosova nuk është në rrezik, gjithmonë duke e parë që nuk po kemi raste serioze dhe duhet ta kalojmë këtë sfidë edhe me imunitet. UEFA, nuk na cakton kur ne duhet të fillojmë kampionatin, pas jemi ne ata që e vlerësojmë rrezikun në vendin tonë”, ka përfunduar Tahir Batatina. /Zëri.info