Koronavirusi pengon kalimin në Evropë të Baftiut, Hoxhës e Topallit, Munishi ka disa fjalë për këtë

Koronavirusi pengon kalimin në Evropë të Baftiut, Hoxhës e Topallit, Munishi ka disa fjalë për këtë

Sport April 05, 2020 - 14:32
Pandemia nuk ka ndikuar keq vetëm tek klubet që po përballen me telashe të mëdha financiare, por mund të ndikojë edhe tek planet e disa futbollistëve në Kosovë që parashikoheshin që gjatë afatit kalimtarë të verës të bëjnë një hap të madh në karrierë

Ejup Llumnica

Pandemia koronavirus vazhdon të sjellë telashe të mëdha në botë e në veçanti në botën e futbollit.

Po hyjmë në javën e katërt që kampionati është ndërprerë, ndërsa futbollistët po vazhdojnë punën në kushte shtëpie në mënyrë të ta mbajnë formën fizike të tyre.

Kjo situatë nuk ka ndikuar keq vetëm tek klubet që po përballen me telashe të mëdha financiare, por mund të ndikojë edhe tek planet e disa futbollistëve në Kosovë që parashikoheshin që gjatë afatit kalimtarë të verës të bëjnë një hap të madh në karrierë, shkruan Zëri.info.Image

Padyshim, Ballkani është skuadra që këtë edicion shkëlqeu në kampionat me lojën e saj të bukur dhe pa dashur nënvlerësuar askënd në skuadër, më të veçuarit ishin treshja e frikshme e sulmit, Blendi Baftiu, Arbër Hoxha e Jetmir Topalli.

Loja e tyre e bukur, bëri që të bie në sy të shumë skuadrave në Evropë të cilat edhe i donin shërbimet e tyre, por tash pas ndërprerjes së garave gjërat sikur janë zbehur, aq më keq pasi klubet kanë probleme të mëdha financiare dhe mund të ndikojë që interesimi i tyre tash të zbehet.

Megjithatë, këtë e mohon trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi i cili ka thënë se kjo ndërprerje aspak nuk ka ndikuar në zbehjen e interesimit për ta, madje ai interesim vazhdojnë edhe tash.

“Nuk do të bie absolutisht interesimi për ta. Këta janë lojtarë që kanë shumë kualitet dhe nuk është se është vetëm një skuadër e interesuar për ta. Ka shumë skuadra që i duan këta djem. Ne po presim t’i kthehemi normalitetit dhe sigurisht do t’i shohim pastaj kontaktet që vijnë për ta”, ka thënë Munishi për Zëri.info, duke konfirmuar se shumë klube personalisht e kanë kontaktuar edhe vetë atë për ta parë gjendjen e këtyre lojtarëve.Image

“Mua personalisht më kanë shkruar shumë skuadra për ta, por edhe kanë shkruar në adresë të klubit për të marrë më shumë informata. Këta djem që i përmendët më lartë i kanë përfaqësuesit e vet, pra menaxherët që kontaktojnë dhe merren me këtë punë, por sigurisht edhe ne kujdesemi që çfarëdo që kanë nevojë të ju ndihmojmë.

Mirëpo, për momentin të gjitha planet tona si të lojtarëve, si të skuadrës lidhen me Ballkanin. Ne mezi po presim me ju kthye stërvitjeve dhe sigurisht jetës normale dhe pastaj shohim çfarë do të bëjmë”, ka përfunduar Ismet Munishi. /Zëri.info