Anulimi i sezonit KB Pejës i kushtoi kaq mijë euro

Anulimi i sezonit KB Pejës i kushtoi kaq mijë euro

Sport April 05, 2020 - 19:07

Vendimi i Bordit të Federatës së Basketbollit së Kosovës për ta anuluar kampionatin do t’i kushtojë shumë klubit basketbollist të Pejës. Më 31 mars Bordi i FBK-së unanimisht mori vendim që të anulojë garat në Superligën e Kosovës dhe Superligën e Femrave për edicionin 2019/20 dhe me këtë rast nuk do të shpallen kampionët e këtyre dy kompeticioneve për shkak të pandemisë Covid19.

Ky vendim sigurisht që ka pasur pasoja në të gjitha klubet e Kosovës, por duket se KB Peja është goditur më së shumti, duket ditur se në këtë edicion është rikthyer në Superligë.Anulimi i garës KB Pejës i ka kushtuar rreth 200 mijë euro dhe këtë për Insportin e ka konfirmuar presidenti i klubit pejan, Art Gashi.

“Humbjet janë të mëdha në të hyra sepse sponzorët janë në vështirësi të mëdha financiare pas situatës së krijuar e gjithashtu edhe të hyrat tona të planifikuara nga shitjet e biletave janë të gjitha të humbura. Nuk kemi nxjerrë ende një shifër të saktë, po do të jetë rreth 200 mijë euro”.

Sipas Gashit, nga muaji mars deri në fund të kampionatit klubi pejanë kishte parashikuar që inkasonte edhe 200 mijë euro të tjera, por kjo gjë do të jetë e pa mundur.Kjo humbje është e madhe duket ditur vështirësit financiare që KB Peja ka kaluar në vitet e fundit.

“Ne jemi OJQ dhe si të tillë nuk kemi fitime financiare, pra të gjitha të hyrat shpenzohen në paga dhe shpenzime tjera operative të nevojshme që klubi të zhvillojë veprmimtarinë. Nga muaji mars deri në fund të kampionatit janë parashikuar të hyra edhe 200 mijë euro për të mbuluar shpenzimet për paga dhe shpenzime tjera deri në fund të kampionatit si dhe për pagesë të obligimeve të mbetura nga muajt paraprak”.

Klubi historik ishte përjashtuar nga elita me vendim të Federatës së Basketbollit të Kosovës. Klubi pejan nuk kishte arritur t’i kryej obligimet financiare që kishte ndaj FIBA-s dhe FBK-së dhe për këtë arsye ishte përjashtuar nga garat.

Përkundër anulimit të kampionatit, Peja është klubi i vetëm që ka fituar trofe këtë edicion. Pejanët fituan Kupën e KosovësPeja mposhti KB Yllin në finalen e madhe të zhvilluar në “Mizair Isma”, me rezultat 79-64 (9:26, 22:21, 20:10, 13:22).

Megjithatë, Gashi vendimin për të anuluar kampionatin e ka arsyetuar se shëndeti është mbi të gjitha dhe se zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë, sipas mendimi të tij janë të kota.

Gashi deklaron se çdo ndeshje luhet për tifozë, por pandemia Covid19 duhet të mposhtet fillimisht dhe më pas t’i kthehemi palestrave të mbushura me tifozë.

“Është vështirë të komentohet sepse ne asnjëri nuk e dimë se si do të jetë situata në vazhdim. Është e rëndesishme që të ruhet shëndeti publik, dhe zhvillimi i ndeshjeve te basketbollit apo çfardo sporti është i rrezikshëm shumë në kohë pandemie. Tash ndoshta ka mundur të jetë në opsion edhe zhvillimi i ndeshjeve pa publik, por përsëri rreziku nuk do eliminohej tërësisht si dhe ndeshjet pa publikë  për mendimin tim janë të kota për t’u zhvilluar sepse në fund të fundit eventet sportive janë pjesë e argëtimit të publikut dhe pa ta humbet arsyja kryesore e sportit”

.KB Peja sipas kësaj renditje së mbetur është në vendin e katërt me 39 pikë, tre pikë më pak se sa lideri Sigal Prishtina, pas 24 xhiro të zhvilluara.

“Shqiponjat e Zeza” regjistruan 15 fitore dhe nëntë humbje.