"Toki": Do të mundohemi t'i fitojmë ndeshjet e ardhshme, do ta bëjmë një analizë dhe do t'ia paraqes kryetarit

Sport July 06, 2020 - 22:14

Ndonëse me shumë përforcime në afatin kalimtar veror vitin e kaluar, pa asnjë dyshim të vetëm, dy skuadrat që kanë zhgënjyer më së shumti në elitën e futbollit kosovar këtë edicion janë Feronikeli dhe Llapi.

Feronikeli, kampion në fuqi i Superligës dhe Kupës së Kosovës, e kishte "rrugën e humbur" prej fillimit të edicionit aktual, shkruan "Zeri.info".

Largimet e futbollistëve bazë si dhe ndryshimet e bëra në shtabin teknik - ardhja e trajnerit malazez Dejan Vukiçevic dhe më pas e Agim Sopit - nuk iu përshtat aspak klubit drenicas, i cili dështoi ta vazhdonte shkëlqimin e vitit të kaluar.

Feronikeli tentoi të këndellej me prurjen e trajnerit më të suksesshëm në futbollin kosovar, Afrim Tovërlani, por as kjo gjë nuk funksionoi, derisa tashmë "Nikli" ia ka shuar gjasat përfundimisht edhe për synimin kryesor - daljen në Evropë përmes vendit të dytë në tabelë.

Image

Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të kampionatit elitar kosovar të futbollit, Feronikeli renditet në vendin e pestë në tabelë me 44 pikë të tubuara, 16 pikë më pak se lideri, Drita.

Nga ana tjetër, ndryshime të mëdha verën e vitit të kaluar bëri edhe Llapi i Tahir Batatinës, por që kjo skuadër asnjëherë nuk arriti t'i përmbushte pritshmëritë e mëdha të tifozëve kundrejt tyre.

Klubi nga Podujeva u përforcua tejmase si në verë ashtu edhe në dimër, por kjo nuk rezultoi të ishte një lëvizje e suksesshme, dhe të paktën edhe për një vit, Llapi nuk do të mund të paraqitet aty ku synon që moti, në Evropë.

Trajneri më i suksesshëm në futbollin e Kosovës, Afrim Tovërlani e ka pranuar se skuadra e tij i ka "fshirë duart" për dalje në Evropë, derisa thotë se do t'ia paraqesë kryetarit Naser Ramaj analizën e Feronikelit në fund të edicionit.

Image

"Mundem me thënë se gjasat i kemi humbur për të dalur në Evropë, sa i përket ku ka ngecur 'Nikli' nga fillimi e deri më tani, në fund të edicionit do ta bëjmë një analizë dhe do t'ia paraqes kryetarit (Naser Rama)", u shpreh Tovërlani për "Zeri.info".

Tutje, ish-trajneri i FC Prishtinës dhe Ferizajt premton angazhim maksimal të futbollistëve të tij në ndeshjet e radhës.

"Përndryshe, ndeshjet e ardhshme do të mundohemi t'i fitojmë me kapacitetet tona. Nuk ka diçka të re në lidhje me vazhdimin e kontratës me Feronikelin tani për tani", potencoi trajneri prishtinas.