"Futbollistët që dolën pozitivë po trajtohen si kriminelë nga UEFA, sikur e sollëm virusin në Zvicër"

Sport August 11, 2020 - 00:01

Fidan Gërbeshi dhe Bujar Shabani janë ende në dyshim për ndeshjen ndaj Linfield nesër.

UEFA dhe autoritetet vendore ende nuk e kanë dhënë dritën e gjelbër për lëvizjen e lirë të tyre, ani pse në testin e sotëm kanë rezultuar negativë.

Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.

“Nesër do të vendoset nga UEFA dhe autoritetet vendore nëse do të luajnë Gërbeshi dhe Shabani apo jo”, deklaroi Zymberi për Gazetën Olle.

“Deri nesër jemi në pritje, s’kemi asnjë informatë më shumë. Ne sot kemi zhvilluar stërvitjen e fundit pa Gërbeshin, Shabanin dhe Namanin”, shtoi ai.

Zymberi është ankuar edhe në sjelljen e zyrtarëve të UEFA-s.

Sipas tij, lojtarët që rezultuan pozitivë janë trajtuar si kriminelë.

“Sjelljet e zyrtarëve të UEFA-s nuk kanë qenë aspak të mira sepse në momentin që kanë rezultuar këta lojtarë pozitivë, trajtimi ishte sikur të ishin kriminelë, e jo të interesohen për shëndetin e lojtarëve. Po sjellen sikur ne e sjellëm pandeminë në Zvicër”, shtoi Zymberi, i cili po bën një punë të madhe, duke parë problemet e njëpasnjëshme me të cilat po përballet Drita në Zvicër.

Drita – Linfield është e paraparë të fillojë prej orës 18:00 nesër.