Tallja e shtetit me futbollin e Kosovës
everis

Tallja e shtetit me futbollin e Kosovës

Sport September 18, 2020 - 12:14
Detajet

Futbolli ka filluar në shumicën e shteteve evropiane. Në disa vende edhe me shikues në tribuna, shkruan “Zeri.info”.

Gjithsesi, në Kosovë ende nuk është marrë ndonjë vendim për fillimin e sportit më të popullarizuar në botë.

Më 28 korrik me vendim të Qeverisë së Kosovës u ndaluan të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë me qëllim që të parandalohet përhapja e pandemisë COVID-19.

Në fakt Federata e Futbollit e Kosovës kishte paralajmëruar për nisjen e kampionatit më 12 shtator, por pas një takimi me zyrtarë shtetërorë u vendos që kampionati të fillojë me një javë vonesë, që i bie në këtë fundjavë.

Në takimin e mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë (më 8 shtator), përveç ministrit Armend Zemaj dhe presidentit të FFK-së Agim Ademit e sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihut, morën pjesë edhe përfaqësues të zyrës së kryeministrit, ministrja e Sportit Vlora Dumoshi, drejtori i IKSHPK-së dr. Naser Ramadani, kryesuesi i Bordit Këshillëdhënës në luftën kundër COVID-19 dr. Lul Raka dhe përfaqësuesit e Policisë, u diskutuan të gjitha detajet rreth fillimit të garave në futboll dhe u paraqitën të gjitha protokollet dhe manualet në mbrojtje nga COVID-19 e të cilat FFK-ja i ka përmbushur.

Pas takimit u tha se duhet të pritet ardhja e kryeministrit Avdullah Hoti në Kosovë, në mënyrë që vendimi të merret nga ekzekutivi.

Image

Qeveria e Kosovës u tubua të hënën (14 shtator), por askush nuk e ka të arsyeshme që të diskutojë për sportin e në veçanti futbollin, duke u tallur në këtë mënyrë me komunitetin e futbollit.

Injorimi i shtetit ndaj futbollit vjen në një kohë kur klubet kanë bërë shpenzime marramendëse për nisjen e kampionatit.

Image

Një ndër njerëzit që ka investuar shumë në futbollin e Kosovë me dekada, Abedin Zeka, shprehet i indinjuar me Qeverinë e Kosovës.

Ai është president i skuadrës mitrovicase Trepça ’89

Pikërisht në ditën e sotme ishte planifikuar që të zhvillohej ndeshja hapëse e Superligës në mes Trepçës ’89 dhe Arbërisë së Dobrajës.

“Nuk është mirë që të bëhet shaka me neve. Ne kemi shpenzime dhe Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemajn ndoshta nuk e di se sa kemi shpenzime mujore. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitet që të nisim në fundjavë, por ende nuk ka vendim”, ka thënë Abedin Zeka për "Zeri.info".

“FFK-ja na tha ndoshta luhet, ndoshta nuk luhet ndeshja. Kjo është joserioze. Neve tash na duhet t’i thërrasim lojtarët për drekë që duhet të kryhet tri - katër orë para ndeshjes dhe t’u themi ejani se ndoshta luajmë, ndoshta nuk luajmë”, deklaroi Zeka.

Image

Faqen e FFK-së në ditët e fundit e kaploi terri informativ sa u përket lajmeve rreth nisjes së kampionatit.

Gjatë gjithë javës "Zeri.info" ka kontaktuar me zyrtarë të FFK-së, derisa përgjigjja e tyre ishte e njëjtë.

“Jemi në pritje, sot ose nesër merret vendimi”, deklaruan disa herë presidenti Agim Ademi e sekretari gjeneral i FFK-së Eroll Salihu. /Zeri.info

Image