Jurgen Klopp pranon gabimin: Super paraqitje nga Shaqiri

Jurgen Klopp pranon gabimin: Super paraqitje nga Shaqiri

Sport September 25, 2020 - 12:40
Detajet

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka pranuar gabimin për zëvendësimin e Xherdan Shaqirit, derisa ka lavdëruar paraqitjen yllit shqiptar duke thënë se ai pati një super paraqitje.

Xherdan Shaqiri ka shënuar golin e parë në vitin 2020. Ylli shqiptar i futbollit të enjten mbrëma realizoi në fitoren 7:2 të Liverpoolit ndaj Lincolnit në kuadër të Kupës së Ligës.

Shaqiri shënoi golin e parë të ndeshjes, që në minutën e nëntë. Ai realizoi supergol nga goditja e dënimit. Ai startoi për kampionin anglez dhe luajti deri në minutën e 75-të. Shaqiri është kthyer pas një lëndimi që e mbajti një kohë jashtë.

Në të vërtetë Shaqiri në vitin e fundit ka pasur telashe të vazhdueshme me lëndime dhe për këtë arsye ka luajtur fare pak. Golin e fundit e kishte shënuar më 4 dhjetor të vitit të kaluar, në ndeshjen e Premier Leagues ndaj Evertonit.

“Ai [Shaqiri] pati një super ndeshje. Një ndeshje të jashtëzakonshme në një pozicion jo shumë familjar por më thellë në mesfushë, ai ia doli vërtet shumë, shumë mirë”, shprehet Klopp. “Ishte gabimi im [për zëvendësimin e tij]. Isha i frikësuar se e përdredhi pak kyçin e këmbës por ai ishte krejtësisht mirë nuk ishte absolutisht asgjë. Ai e preku dy herë por mendoj se ishte mirë që më pas ta zëvendësojmë”.

Klopp tutje ka thënë se asnjëherë nuk ka dyshuar në kualitetet e Shaqirit.

“Por, ai luajtur një ndeshje me të vërtetë shumë të mirë. Ndërprerjet ishin të jashtëzakonshme, në veçanti gjuajtja e lirë që e shënoi, çfarë goli. Nuk ka asnjë dyshim për kualitetin e Shaqirit – kurrë nuk ka pasur. Për momentin gjithçka po duket shumë mirë dhe shumë premtuese, prandaj do të shohim”, ka thënë Klopp.