Nesër fillon Superliga në basketboll, në start sfidohen rivalët e vjetër Peja – Sigal Prishtina

Nesër fillon Superliga në basketboll, në start sfidohen rivalët e vjetër Peja – Sigal Prishtina

Sport October 27, 2020 - 18:14
Lajmet e fundit nga sporti

Në mesjavë do të zhvillohet java e parë në Superligën e Kosovës në basketboll.

Që në javën e parë do të ketë ndeshje interesante.

Peja-Sigal Prishtina do të ballafaqohen në ‘Karagaçi’ të mërkurën mbrëma, ku vlerësohet njëra nga ballafaqimet më interesante në këtë xhiro. Prishtina hyn në këtë takim e motivuar, pasi të dielën, pikërisht në qytetin e Pejës triumfoi në Superkupë, kurse pejanët shpresojnë të nisin me fitore edicionin e ri, pasi në Superkupë, u eleminuan nga Bashkimi, që në çerekfinale.

Po ashtu të mërkurën mbrëma zhvillohet ndeshja mes Rahovecit dhe skuadrës që ka hyrë në elitë këtë edicion, Vëllaznimit, njofton faqja zyrtare e FBK-së, transmeton "Zeri.info".

Të enjten do të zhvillohen dy ndeshje interesante në Prizren. Ponte Prizreni-Golden Eagle Ylli do të jetë një takim shumë interesant, me të dy skuadrat që janë përforcuar dhe kanë synime të mëdha në edicionin e ri. Java e parë do të përmbyllet me ndeshjes ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, po ashtu dy rivalë të vjetër. Bashkimi ishte finalist i Superkupës, kurse mitrovicasit siguruan mbijetesën në elitë, duke mundur AS Prishtinën në Play-out dhe shpresojnë se do të kenë një edicion më të suksesshëm se ai i kaluari.

Takimet do të zhvillohen pa shikues dhe me praninë e vetëm 50 personave në palestër, duke përfshirë dy skuadrat, zyrtarët e ndeshjes dhe përfaqësuesit e FBK-së.

Ndeshjet do të transmetohen në platformën ArtMotion.

Superliga - Java 1

E mërkurë

19:00 Peja - Sigal Prishtina

19:00 Rahoveci- Vëllaznimi

E enjte

17:00 Ponte Prizreni - Golden Eagle Ylli

19:30 Bashkimi - Trepça. /Zeri.infoImage