Mirlind Daku dhe Armend Thaqi u ftuan nga Challandes për ndeshjet e nëntorit, trajneri zviceran komenton punën e tyre

Mirlind Daku dhe Armend Thaqi u ftuan nga Challandes për ndeshjet e nëntorit, trajneri zviceran komenton punën e tyre

Sport November 24, 2020 - 19:52

Ndryshe nga viti i kaluar, kur rezultatet dhe paraqitjet ishin në nivelin më të mirë të mundshëm, Përfaqësuesja e Kosovës këtë vit ishte poshtë pritshmërive.

Skuadra që drejtohet nga trajneri zviceran Bernard Challandes pati një kampanjë të dobët në Ligën e Kombeve, duke e mbyllur grupin C3 me vetëm një fitore, dy barazime dhe tri humbje.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Kosova e humbi edhe rastin e artë për t'u kualifikuar në kampionatin evropian "Euro 2020" përmes fazës "play-off" të Ligës së Kombeve, ku në muajin tetor u mposht nga Maqedonia e Veriut (2:1) në Shkup.

Gjithë kësaj i kontribuoi më së shumti situata me pandeminë COVID-19, e cila e ka kapluar globin, por edhe futbollistët e lënduar, që e lanë Kosovën të hendikepuar në ndeshjet më të rëndësishme të këtij viti, derisa tifozët kanë mbetur plotësisht të zhgënjyer.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, në një intervistë për “Zeri.info” është rrëfyer gjerë e gjatë në lidhje me situatën e tij shëndetësore pas infektimit dhe shërimit nga COVID-19, atmosferën te Përfaqësuesja, prurjet e reja, prezencën e Mirlind Dakut dhe Armend Thaqit, të ardhmen e tij, si dhe për “problemin” me futbollistin pejan, Bernard Berisha.

Trajneri zviceran ftoi për këto tri ndeshje dy futbollistë nga Superliga e Kosovës - Mirlind Dakun dhe Armend Thaqin - derisa ai u shpreh i kënaqur me punën e bërë nga ata.

"Për Dakun, ai po bën edicion të mirë, ai ka shënuar dhe është i ri. Kjo nënkupton se ai e meritoi këtë ftesë. Daku ka stërvitur mirë dhe ka qenë për herë të parë me skuadrën dhe ishte eksperiencë e mirë për të", ka thënë Challandes për "Zeri.info". 

"Fatkeqësisht nuk kam qenë në stërvitje shkaku i virusit, por kam dëgjuar nga ndihmësi im se ka bërë punë të madhe me skuadrën. Dhe në fund, ne morëm Armend Thaqin sepse kishim probleme me lëndimet. Ne e njohim Thaqin, nuk ishte hera e parë për të, ai ishte në Katar, ai e njeh skuadrën dhe ishte mirë për të. Asnjë problem. E them gjithmonë se nuk është problemi se ku luan kur ftojmë futbollistë", tregoi ai. /Zeri.info