Statovci analizon Superligën: Gjilani nuk me ka bindur asnjëherë, Llapi është futur në zonën e kuqe sikur disa komuna me virus

Statovci analizon Superligën: Gjilani nuk me ka bindur asnjëherë, Llapi është futur në zonën e kuqe sikur disa komuna me virus

Sport November 26, 2020 - 10:12
Lajmet e fundit nga sporti

Java e 14-të në elitën e futbollit kosovar solli disa ndeshje tejet interesante, derisa edhe rezultatet befasuse nuk munguan, shkruan “Zeri.info”

Padyshim barazimi i Dritës në fushën e vet me Feronikelin cilësohej paksa befasi, derisa edhe humbja e Gjilanit nga Arbëria nuk është pritur. Me formë zhgënjyese vazhdon Llapi që u mposht në fushën e vet nga Prishtina dhe tash shumë seriozisht e rrezikon mbijetesën.

Ish futbollisti i njohur tash trajner Faruk Statovci në një bisedë për “Zeri.info” ka analizuar javën e 14-të, derisa ka dhënë edhe një parashikim për sfidën Drenica – Ballkani që luhet sot nga ora 13:00.

“Drita – Feronikeli, ishte një ndeshje me dy pjesë të ndryshme. Në pjesën e parë luajti mirë Feronikeli, ndërsa në të dytën Drita e dominoi. Në 45 minutëshin e dytë Drita pati më shumë raste por nuk ia doli”, ka thënë fillimisht Statovci duke folur më pas edhe për ndeshjen tejet interesante që u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ku u ndeshën Llapi e Prishtina.Image

“Llapi nuk po e gjen assesi rrugën te fitorja. Ndaj Prishtinës e pamë që e humbi edhe penalltinë dhe kishte edhe raste tjera shënimi, derisa Prishtina i shfrytëzoi ato që iu dhanë në këtë sfidë. Llapi pas kësaj humbje është futur seriozisht në zonën e kuqe, ngjashëm dikur disa Komuna me virus”, ka vlerësuar ish futbollisti i njohur.

Një rezultat i papritur ishte ai në “Xhemail Ibishi” ku Arbëria e mposhti Gjilanin skuadër kjo që po e synon titullin kampionit, por duket se gjasat janë të vogla duke e parë gjithmonë luhatshmërinë në lojën e gjilanasëve.

“Kam thënë edhe më herët dhe po e përsërisë. Gjilani nuk më ka bindur asnjëherë. Nuk është ekip që bën lojë të mirë asnjëherë, pret gjithmonë ndonjë gabim të kundërshtarit ose ndonjë potezë individual, përndryshe lojë kolektive nuk ka. Në fushë për të fituar duhet vrapuar, duhet dashur fitorja, e këtë e deshi Arbëria më shumë se Gjilani”, ka vlerësuar Statovci.Image

Java e 14-të mbyllet sot me një ndeshje tejet interesante ku ballafaqohen, Drenica e Ballkani në Skenderaj. Skuadra e Ismet Munishit do të tentojë të shfrytëzojë gabimin e Dritës e Gjilanit për të krijuar një shkëputje në tabelë por sipas Statovcit ndeshja do të jetë shumë e vështirë për të dyja skuadrat.

“Ballkani është favorit por assesi nuk duhet nënçmuar Drenicën. Do të jetë një lojë besoj e mirë, derisa është shumë vështirë të parashihet rezultati. Gjithsesi, presim një ndeshje shumë të fortë”, ka përfunduar Faruk Statovci. /Zeri.infoImage