Edhe presidenti i një klubi tjetër kritik rrezikon të dënohet nga FFK

Edhe presidenti i një klubi tjetër kritik rrezikon të dënohet nga FFK

Sport March 03, 2021 - 11:43
Detajet

Pas presidentit të FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili para disa javësh u dënua me një vit nga Federata e Futbollit e Kosovës për shkak disa kritikave dhe akuzave që ia kishte adresuar këtij instucioni, edhe presidenti i një klubi tjetër rrezikon të dënohet nga shtëpia e futbollit thuajse për arsye të njëjtë.

Bëhet fjalë për njërin prej donatorëve më të vjetër në futbollin kosovar, presidentin e Trepçës ’89, Abedin Zeka. Komisioni i Garave i FFK-së tashmë ka hapur procedurë disiplinore ndaj Zekës, për të cilin do të vendos Komisioni Disiplinor për ta dënuar apo jo.

Në njoftimin e FFK-së thuhet se Zeka ka drejtuar akuza të pabaza kundër organeve të FFK-së.

Zeka njihet si një kundërshtar i madh i kryesisë së FFK-së ndaj së cilës vazhdimisht hedh kritika dhe shpreh pakënaqësi. Me kritika ai ka vazhduar edhe pas ndeshjes së fundjavës në mes Trepçës ’89 e Prishtinës (0:1), duke deklaruar se drejtuesit e FFK-së po përpiqen t’i përçajnë klubet në mënyrë që ato të mos mund të jenë të bashkuara për të bërë ndryshime në futbollin e Kosovës duke filluar prej kryesisë së FFK-së.

“Qëllimi i tij është me na prishë neve klubeve mes vete. Kishte dërguar gjyqtarë të tillë vetëm me prishë ndeshjen. Goli i dytë i Prishtinës ka qenë faull. Gjatë pjesës së parë ka qenë edhe një karton i kuq, por që s’u dha. Ne s’jemi Barcelonë me i mposht ekipet me gjyqtarë. Lojtarët ishin tejet të dëshpëruar, mezi i kam pajtuar”, kishte thënë Zeka pas ndeshjes.

Gazeta Express shkruan se Zeka i përket grupit të opozitar të FFK-së bashkë me Remzi Ejupin dhe disa individë tjerë të klubeve apo ish zyrtarëve të FFK-së që kërkojnë qe një kohë të gjatë ndryshime në FFK. Ai vazhdon me kritika e shprehje të pakënaqësive, siç bënin edhe drejtuesit e Ballkanit, Llapit e Drenicës, të cilët kohëve të fundit kanë ndryshuar me të madhe karshi FFK-së, duke i ndalur kritikat, akuzat e shprehjen e pakënaqësive, të paktën publikisht.

E Zeka kishte reaguar ashpër kur FFK-ja e kishte dënuar homologun e tij nga FC Prishtina, duke potencuar se drejtuesit e futbollit duke e dënuar Ejupin po mundohen t’i frikësojnë dhe t’ua mbyllin gojën edhe presidentëve tjerë që duan ndryshime në FFK.