Zgjerimi i Ligës së Parë në dy grupe me 12 skuadra, vjen sqarimi nga FFK

Zgjerimi i Ligës së Parë në dy grupe me 12 skuadra, vjen sqarimi nga FFK

Sport April 15, 2021 - 08:23
Lajmet e fundit nga sporti

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se Liga e Parë do të zgjerohet, shkruan Zeri.info.

Shtëpia e futbollit kosovar këto raportime i ka cilësuar si të pabaza dhe spekulime.

Në sqarim, FFK ka theksuar se tema për zgjerimin e Ligës së Parë në dy grupe me 12 skuadra, nuk është diskutuar asnjëherë në Komitetin Ekzekutiv apo ndonjë organ tjtetër të FFK-së.

Sqarimi i plotë nga FFK (pa ndërhyrje):

“Federata e Futbollit e Kosovës e vlerëson plotësisht të pabazë dhe spekulim të pastër lajmin e publikuar në njërin nga portalet vendore se kinse Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka diskutuar zgjerimin e mëtejmë të Ligës së Parë në 24 skuadra për edicionin e ardhshëm, të ndara në dy grupe me nga 12 skuadra. FFK sqaron se një gjë e tillë nuk është diskutuar asnjëherë në KE dhe në asnjë organ tjetër të FFK-së. Shkrimet e tilla po bëhen me qëllim për ta vënë në lajthitje opinionin futbolldashës, e jo klubet sepse ato nuk bien pre e lajmeve të tilla të rrejshme, ngase e kanë të ditur formatin e garave në të gjitha ligat.

Klubet janë të vetëdijshme se këto “portale” thuajse në baza ditore publikojnë lajme të pavërteta rreth FFK-së dhe e dinë fare mirë çfarë qëllimesh kanë. Prandaj, me këtë rast sqarojmë opinionin se KE i FFK-së më 16 dhjetor të vitit të kaluar e ka aprovuar kërkesën e klubeve që Liga e Parë edhe në edicionin e ardhshëm të luhet në dy grupe me nga 10 skuadra. Kjo për faktin e vetëm që t’u dilet në përkrahje klubeve pasi futbolli është ende duke u luajtur në rrethana të pandemisë, mirëpo asnjëherë nuk është diskutuar për zgjerimin e mëtejmë të kësaj lige. Përkundrazi, strategjia e FFK-së është që në të ardhmen edhe Liga e Parë të funksionojë si ligë unike e jo e ndarë në grupe”. /Zeri.info