Ceferin i ul rrogën Armand Dukës, ja sa do marrë tani presidenti i FSHF-së

Ceferin i ul rrogën Armand Dukës, ja sa do marrë tani presidenti i FSHF-së

Sport April 22, 2021 - 11:14
Lajmet e fundit nga sporti

Në ditët e fundit, UEFA me presidentin e saj Aleksander Ceferin, është munduar të bindë të gjithë tifozët se Superliga ishte një ide e keqe e njerëzve të paskrupullt dhe se po mbronte futbollin nga lakmia e tyre. Sipas tij, gjithçka ishte bërë për “të mirën e futbollit”.

Por është shumë e qartë se pjesa më e madhe e luftës nga UEFA, ishte për faktin se po duelohej për të mos hequr dorë nga fitimet kolosale të kësaj organizate dhe drejtuesve të saj.

Kjo kuptohet qartësisht nga raporti financiar vjetor i UEFA-s, i cili ka zbardhur detaje rreth pagesave që përfitojnë drejtuesit e saj.

Rezulton se Ceferin, duke punuar “për të mirën e futbollit” ka përfituar një rrogë prej 2,4 milionë frangash zvicerane bruto në vitin financiar 2019-2020, rreth 2,2 milionë euro.

Ndërkohë, Sekretari i tij i përgjithshëm, Theodor Theodoridis, ka përfituar rreth 1,2 milionë euro bruto për të njëjtin vit financiar.

Zëvendëspresidentët e UEFA-s që kanë përfituar nga 237500 euro secili e anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, mes të cilëve edhe Armand Duka, nga 152 mijë euro secili.

Por ajo që bie në sy është se në këtë vit financiar, në raport me një vit më parë, Ceferin ka rritur rrogën e tij me rreth 450 mijë euro, ndërsa Teodoridis me rreth 164 mijë euro.

Ndërkohë, rrogat e zëvendëspresidentëve dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv janë ulur, përkatësisht me 12500 euro dhe 8 mijë euro. Sigurisht, për të mirën e futbollit.