Delegacioni nga Federata Ndërkombëtare e Sportit Universitar, viziton Kosovën

Delegacioni nga Federata Ndërkombëtare e Sportit Universitar, viziton Kosovën

Sport October 21, 2021 - 17:35
Lajmet e fundit nga sporti

Drejtues të Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar (FISU), po qëndrojnë në Kosovë për të bërë inspektimet për organizimin e Kampionatit Botëror të Hendbollit, që vitin e ardhshëm organizohet në Prishtinë nga Federata e Sportit Universitar (FSUNK).

Me këtë rast, Alejandro Guerra Urbistondo dhe Eler nga FISU dhe Nikola Vincetiq, drejtor i Federatës së Sportit Universitar të Kroacisë bashkë me drejtuesit e FSUNK-së, kanë vizituar të enjten edhe Komitetin Olimpik të Kosovës, me ç’rast janë pritur nga sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.

Sekretari i përgjithshëm, Aliti, duke falënderuar mysafirët për vizitën, ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e KOK-ut për ta përkrahur organizimin e Kampionatit Botëror të Hendbollit, duke e vlerësuar si njërën nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të organizuara ndonjëherë në vendin tonë.

Kosova do të jetë nikoqire e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll i cili do të mbahet nga datat 11 – 17 korrik 2022.

Federata e Sportit Universitar të Kosovës do të pres 32 ekipe universitare, dhe rreth 500 sportistë dhe studentë nga e gjithë bota. /Zeri.info