Kërkohet mbështetje për infrastrukturën sportive

Kërkohet mbështetje për infrastrukturën sportive

Sport October 07, 2022 - 13:28
Lajmet e fundit nga Sporti

Sekretari gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis, në kuadër të vizitës në Kosovë, sot, së bashku me drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), kryetarin Arben Fetahu, sekretaren e përgjithshme Elvira Dushkun dhe anëtarin e Bordit Valon Bilallin, janë takuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, drejtorin e Sportit, Granit Rugovën, shefin e Kabinetit, Vllazim Osmani dhe këshilltaren e kryetarit, Ermira Gjevori Hatipi.

Gjatë takimit është diskutuar për ndihmën që mundet të japë Komuna e Prishtinës për FBK-në, gjegjësisht infrastrukturën sportive.

Në takim është biseduar se vendi ynë ka nevojë për një palestër të madhe sportive për organizimin e ngjarjeve madhore evropiane, si dhe ato ndihmëse, ku do të mundë të aktivizohen gjeneratat e reja dhe fëmijët.

FBK-ja ka organizuar disa kampionate evropiane deri më tani dhe është shquar për organizimin e tyre, duke qenë shembull për shumë vende të tjera.

Në takim është konfirmuar bashkëpunimi i ngushtë mes FBK-së dhe Komunës së Prishtinës dhe FIBA-s.

Në fund të takimit, Andreas Zagklis i ka dhuruar Ramës fanellën me numër 1 të Përfaqësueses së Kosovës dhe një dhuratë për të parin e të kryeqytetit të Kosovës, që i dhuroi Hyjneshën në Fron, që simbolizon qytetin e Prishtinës. /Zeri.info