“Tifozat Kuq e Zi” protestojnë ndaj kandidaturës së Shqipërisë me Serbinë për “Euro 2027”, publikojnë foto nga lufta në Kosovë

“Tifozat Kuq e Zi” protestojnë ndaj kandidaturës së Shqipërisë me Serbinë për “Euro 2027”, publikojnë foto nga lufta në Kosovë

Sport May 20, 2024 - 10:21

Tifogrupi i Kombëtares së Shqipërisë, i njohur me emrin “Tifozat Kuq e Zi”, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Federatës së Futbollit të Shqipërisë për të shpallur kandidaturën e përbashkët me Serbinë për organizimin e “Euro 2027” për grup-moshat U21.

Para gati më shumë se dy javësh, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, kishte konfirmuar kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian 2027 për grup-moshat U21.

Arsyetimi i Dukës mbi këtë ishte se Shqipëria nuk i plotëson kushtet elementare për organizimin e kësaj ngjarjeje.

Ai kishte thënë se duhet angazhim i madh i dy qeverive të dy vendeve respektive, madje e kishte cilësuar si “lajm të mirë” për popullin shqiptar dhe atë serb.

Ky njoftim nuk ishte pritur aspak mirë nga tifozët shqiptarë anembanë botës dhe tani “Tifozat Kuq e Zi” kanë ndërmarrë një nismë për të shprehur mllefin e tyre ndaj këtij vendimi të FSHF-së.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, shihet se si “Tifozat Kuq e Zi” kanë ngjyrosur me të kuqe rrugët pranë zyrave të FSHF-së, si dhe kanë ngjitur disa fotografi të luftës dhe gjenocidit që ushtria serbe ka ushtruar në popullin e Kosovës.

“Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet t’i rregullojë imazhin një populli barbar e gjenocidal.

Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”, thuhej në postimin e tyre.