Malisheva në Ligën e Konferencës, kërkon fitore ndaj Vikingurit sonte

Malisheva në Ligën e Konferencës, kërkon fitore ndaj Vikingurit sonte

Sport July 10, 2025 - 12:25

Malisheva do të luajë për të dytin vit radhazi në garat evropiane.

Skuadra kosovare do të përballet sonte me ekipin islandez Vikingur Reykjavik në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Ekipi i Bekim Isufit do të mundohet të krijojë kapital në ndeshjen e parë që do ta zhvillojë si vendëse në stadiumin “Fadil Vokrri”, para duelit të kthimit, i cili do të zhvillohet në Islandë pas një jave.

Mysafirët janë favoritë në letër ndaj ekipit që përfundoi në pozitën e tretë në Superligën e Kosovës në edicionin e fundit.

Megjithatë, Malisheva s’ka opsion tjetër pos fitores sonte nëse synon të kalojë në raundin tjetër, duke e pasur parasysh se ndeshjen e kthimit do ta luajë në udhëtim.

Ndeshja mes Malishevës dhe Vikingurit do të luhet sonte në Prishtinë duke filluar nga ora 20:15.

Sonte ndërkohë do të luajnë edhe ekipet e tjera shqiptare.

Vllaznia e Shkodrës do t’i bëjë konak ekipit BFC Daugavpils, kurse Partizani i Tiranës do ta vizitojë ekipin Nomme Kalju FC.

E Deçiçi i Tuzit do ta presë FK Sileksin.