Liverpooli e nderon Diogo Jotan, në ndeshjen e parë pas vdekjes së tij – Gjest të madh bëri edhe Prestoni

Liverpooli e nderon Diogo Jotan, në ndeshjen e parë pas vdekjes së tij – Gjest të madh bëri edhe Prestoni

Sport July 13, 2025 - 17:15

Lojtarët, stafi dhe tifozët e Liverpoolit dhe Preston North Endit i bënë homazhe Diogo Jotës gjatë ndeshjes miqësore para-sezonale të së dielës, pas ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit portugez më 3 korrik.

Kjo ishte ndeshja e parë e Liverpoolit që nga aksidenti fatal pranë Zamoras, në Spanjë, ku Jota, 28 vjeç, dhe vëllai i tij André Silva, 25 vjeç, humbën jetën.

Në një pasdite të mbushur me emocione, kapiteni i Prestonit, Ben Whiteman, vendosi një kurorë lulesh përpara tifozëve të Liverpoolit, ndërsa u këndua “You’ll Never Walk Alone” para fillimit të takimit.

Image

Të dyja skuadrat dolën në fushë me shirita të zinj në krah dhe u mbajt një minutë heshtje prekëse në nder të vëllezërve të ndjerë.

Preston gjithashtu publikoi një program të veçantë për ndeshjen, duke vlerësuar rëndësinë e saj, ndërsa Liverpooli nderoi Jotën duke tërhequr fanellën me numrin 20.

Disa prej lojtarëve kryesorë të Liverpoolit, si Virgil van Dijk dhe Andy Robertson, të cilët morën pjesë në ceremoninë mortore të Jotës në Portugali javën e kaluar, munguan në listën e skuadrës ndërsa vijojnë përgatitjet për sezonin e ri.

Ata ndoqën ndeshjen nga tribunat e stadiumit “Deepdale”.

Mohamed Salah ishte kapiteni i ekipit, ndërsa portieri i ri Giorgi Mamardashvili bëri paraqitjen e tij të parë me klubin.

Image

Para ndeshjes, trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, deklaroi se ishte e vështirë për skuadrën të rikthehej në punë pas humbjes së Jotës, ndaj i kishte sugjeruar lojtarëve të ndjekin shembullin e tij si person dhe si profesionist.

“Para së gjithash, ndikimi ishte i madh për ne, por nuk krahasohet me dhimbjen që ndjejnë prindërit e tij, bashkëshortja Rute, fëmijët dhe familjarët e tjerë,” tha Slot.

“Ndjenja e parë është trishtimi. E dyta është krenaria. Mendoj se prindërit e tij dhe Rute mund të jenë jashtëzakonisht krenarë për lojtarin dhe mbi të gjitha për njeriun që ai ishte. Kam folur me shumë nga bashkëlojtarët dhe stafin, dhe të gjithë e përshkruajnë si një njeri të jashtëzakonshëm – gjithmonë vetvetja, gjithmonë i vërtetë.”

Ai shtoi se tifozët duhet të jenë krenarë për mënyrën se si lojtarët e kanë përballuar këtë periudhë të dhimbshme, veçanërisht sjelljen e tyre në Portugali gjatë ceremonisë.

“Natyrisht, ndjenja e trishtimit është shumë më e fortë se krenaria, por të dyja janë prezente.”

Slot theksoi se, pavarësisht dhimbjes, skuadra duhet të fillojë të luajë dhe të stërvitet përsëri si pjesë e procesit të përballjes me humbjen.

“Asgjë nuk duket e rëndësishme nëse e krahasojmë me atë që ka ndodhur. Por ne jemi një klub futbolli dhe duhet të stërvitemi, duhet të luajmë – duam apo jo,” tha ai.

Image

Ai u kishte thënë lojtarëve të tij se mënyra më e mirë për ta përballuar situatën ishte të sillen si Jota: të jenë vetvetja.

“Nëse duan të qeshin – të qeshin. Nëse duan të qajnë – të qajnë. Nëse duan të stërviten, le të stërviten. Nëse nuk duan, është në rregull. Të jenë vetvetja, të mos shtiren sikur duhet të sillen ndryshe nga çfarë ndjejnë.”

Slot përfundoi me një mesazh frymëzues për të ndjekur shembullin e Jotës edhe në fushë:

“Nëse situata bëhet shumë, shumë e vështirë – atëherë të bëjmë si Jota. Të përpiqemi edhe më fort, ose thjesht të vazhdojmë përpara dhe ta bëjmë të funksionojë.