
E ardhmja e pasigurt – Zhegrova vazhdon i ndarë nga ekipi i parë i Lille, pasi klubi e ka dënuar për vonesë
Edon Zhegrova vazhdon të jetë jashtë planeve të skuadrës së parë te Lille, ku sipas mediave franceze të afërta me klubin, sulmuesi ynë nuk po stërvitet me grupin kryesor, duke vazhduar të jetë i ndarë, pas një dënimi të marrë nga klubi.
Pas mungesës së gjatë që nga 15 dhjetori për shkak të lëndimit, Zhegrova ishte ftuar nga Lille që të paraqitej më herët në fazën përgatitore verore, njëjtë si disa lojtarë të tjerë të rikthyer nga lëndimet.
Klubi synonte një rikthim të kontrolluar dhe të kujdesshëm në ritëm stërvitor për të, por Zhegrova nuk iu përgjigj ftesës për t’u paraqitur më herët, çka çoi në masën ndëshkuese ndaj tij.
Ai tani është duke ushtruar i ndarë nga skuadra e trajnerit të ri, Bruno Genesio dhe sipas raportimeve, marrëdhëniet mes palëve janë ftohur dukshëm, dhe situata nuk po përmirësohet.
Zhegrova ka edhe një vit kontratë me klubin francez, por dëshira e tij është largimi gjatë këtij afati kalimtar, gjë që e ka pranuar edhe klubi francez, që po pret ofertën e duhur për ta shitur. /Telegrafi/