
Lumbardh Dellova ka refuzuar një ofertë nga gjiganti ukrainas
Mbrojtësi i Kosovës dhe CSKA Sofias, Lumbardh Dellova, ka refuzuar një ofertë transferimi nga kampionët e Ukrainës, Dynamo Kiev.
Kiev ishte i interesuar për 26-vjeçarin, duke tentuar të aktivizojë klauzolën e lirimit prej 950 mijë eurosh në kontratën e tij, por u përball me konkurrencë të fortë nga disa klube turke.
Megjithatë, vetë lojtari nuk ishte i interesuar për një transferim në Ukrainë, gjë që e detyroi klubin nga Kievi të tërhiqej nga negociatat.
Në të njëjtën kohë, CSKA Sofia ka reaguar duke i propozuar Dellovës një zgjatje kontrate me kushte të përmirësuara financiare dhe rritje rroge, në përpjekje për të ruajtur njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm në repartin defanziv.
Gjatë sezonit 2024/25, Dellova regjistroi 36 paraqitje me klubin bullgar, duke shënuar dy gola dhe asistuar në dy të tjerë. Vlera e tij aktuale në treg vlerësohet rreth 1 milion euro.
Rinovimi i kontratës së Dellovës me CSKA Sofia pritet të zyrtarizohet së shpejti. /Telegrafi/