
Sauditët largohen nga gara për Granit Xhakën
E ardhmja e kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka, vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos verore.
32-vjeçari i Bayer Leverkusenit është përfolur së fundmi për një kalim të mundshëm në Arabinë Saudite, por tashmë ky opsion është mbyllur.
Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Sacha Tavolieri, klubi saudit Neom SC është tërhequr nga gara për shërbimet e Xhakës.
Shkaku? Klubi nga Arabia nuk ka qenë i gatshëm të shpenzojë më shumë se 8 milionë euro për kartonin e tij, një shifër që duket se nuk ka bindur as Leverkusenin e as vetë lojtarin.
Kjo nënkupton se transferimi i Xhakës në Arabinë Saudite nuk do të ndodhë, të paktën këtë verë. “4-4-2”, media zvicerane, e ka konfirmuar këtë zhvillim duke theksuar se Neom SC tashmë ka dalë përfundimisht nga skena.
Por, largimi i mundshëm i Xhakës nga Leverkuseni mbetet ende i hapur. Sipas raportimeve të fundit, në garë për të janë futur disa klube të njohura evropiane.
Sunderland, skuadra që sapo është kthyer në Ligën Premier, ka shprehur interes konkret, ndërsa gjigantë si Fenerbahçe, Milani, Juventusi dhe Interi e monitorojnë situatën nga afër.
Në sfond, Bayer Leverkusen po e vazhdon përgatitjen për sezonin e ri dhe Xhaka ndodhet aktualisht në kampin stërvitor në Rio de Janeiro, bashkë me skuadrën kampione të Bundesligës.
Për momentin, mesfushori zviceran është i fokusuar te sezoni i ri me Leverkusenin, por e ardhmja e tij mund të marrë kthesë në çdo moment.