
Edhe 50 ditë nga ndeshja Zvicër – Kosovë, vjen lajmi për biletat
Kanë mbetur vetëm 50 ditë deri te një nga përballjet më të shumëpritura për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, ajo mes Zvicrës dhe Kosovës, që do të luhet më 5 shtator, në stadiumin “St. Jakob-Park” të Bazelit, nga ora 20:45.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në Bazel, me interesim të madh nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër, të cilët pritet të jenë në numër të madh për të përkrahur Kosovën në këtë ndeshje vendimtare.
Të enjten, Federata Zvicerane e Futbollit kujtoi se ndeshja zhvillohet fiks pas 50 ditësh, dhe njëkohësisht njoftoi se biletat do të dalin në shitje më 31 korrik, përmes platformës zyrtare ticketmaster.ch.
Kosova dhe Zvicra janë pjesë e të njëjtit grup kualifikues së bashku me Suedinë dhe Slloveninë.
Tre ditë pas ndeshjes në Bazel, më 8 shtator, Kosova do të përballet me Suedinë, ndërsa Zvicra pret Slloveninë.