
Prishtina eliminohet nga Liga e Evropës, vazhdon garat në Ligën e Konferencës
Prishtina e ka mbyllur me nder aventurën në Ligën e Evropës, duke mposhtur 2-1 Sheriff Tiraspolin në stadiumin “Fadil Vokrri”, por duke u eliminuar nga gara për shkak të humbjes 4-0 në ndeshjen e parë në Moldavi.
Skuadra kryeqytetase shfaqi një lojë të bukur dhe dominuese në pjesën e parë, ku krijoi disa raste të pastra shënimi. Që në minutat e para, Leotrim Kryeziu u rrëzua në zonë pas një ndërhyrjeje të dyshimtë, por gjyqtari armen Henrik Nalbandyan vendosi të mos akordojë penallti.
Pak më vonë, Valmir Veliu iu afrua golit me një gjuajtje precize që kaloi shumë afër shtyllës, ndërsa Hamdi Namani provoi nga distanca me një goditje të fuqishme, por pa sukses.
Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në minutat shtesë, kur Blend Baftiu gjuajti drejt portës pas një aksioni të ndërtuar bukur, por topi u ndal në vijën fatale nga një mbrojtës i Sheriffit. Skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 0-0.
Në pjesën e dytë, një gabim individual i Prishtinës rezultoi fatal. Sheriff kaloi në epërsi 0-1 pasi mbrojtësi i Prishtinës, Phelippe Boueye humbi topin në zonën e tij, dhe Artur Serobyan përfitoi duke e dërguar topin në rrjetë.
Por Prishtina nuk u dorëzua dhe mori barazimin. Hamdi Namani shënoi një gol të bukur me kokë pas një harkimi të saktë nga këndi nga Ardian Muja. Namani kërceu më lart se të gjithë dhe goditi saktë në këndin e sipërm të majtë të portës.
Në minutën e 65-të, Rin Ahmeti ishte në vendin e duhur në momentin e duhur, kur pas një goditjeje të parë dhe një devijimi në zonë, topi iu kthye në këmbë dhe ai gjuajti saktë në këndin e poshtëm të majtë për 2-1.
Fitorja 2-1 e Prishtinës ishte një shpërblim për lojën e mirë dhe përkushtimin, por nuk mjaftoi për të kaluar tutje. Me rezultat të përgjithshëm 5:2 për moldavët, Sheriff kalon në raundin tjetër.
Prishtina do të luajë në Ligën e Konferencës, kundër iralndezo-veriorëve të Larne, klub i njohur në Kosovë, pasi Ballkani dy herë është përballur me ta.