
Zyrtare: Francisco Conceiçao nënshkruan me Juventusin
Juventusi ka konfirmuar zyrtarisht blerjen e përhershme të Francisco Conceiçao nga FC Porto, pas një sezoni në huazim në Torino.
Anësori portugez, i cili kaloi sezonin 2024/25 te “Zonja e Vjetër”, ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare që do ta mbajë në Allianz Stadium deri në verën e vitit 2030. Juventusi do të paguajë 30.4 milionë euro për kartonin e tij, shumë që do të shpërndahet në katër këste.
22-vjeçari ka përfunduar me sukses vizitat mjekësore dhe është prezantuar si përforcimi i dytë zyrtar i afatit të verës për Juventusin, pas sulmuesit kanadez Jonathan David.
Gjatë huazimit të tij, Conceiçao shënoi 6 gola dhe dha 7 asistime në 40 paraqitje në të gjitha garat. Ai ishte ndër lojtarët më shpërthyes të skuadrës – vetëm Kenan Yildiz regjistroi më shumë driblime dhe vetëm Dusan Vlahovic pati më shumë prekje në zonë.
Juventusi e përshëndeti nënshkrimin me fjalët: “Urime, Chico – mezi presim të të shohim përsëri në fushë!”.
Ky transferim vjen menjëherë pas paraqitjeve të tij në Kupën e Botës për Klube FIFA në SHBA, ku portugezi ishte një nga më të dalluarit e ekipit italian.