Zbulohen detaje të dhimbshme pak para se Hulk Hogan të ndërronte jetë

Zbulohen detaje të dhimbshme pak para se Hulk Hogan të ndërronte jetë

Sport July 24, 2025 - 20:44

Legjenda e WWE-së, Hulk Hogan, u përball me probleme serioze shëndetësore gjatë viteve të fundit të jetës së tij.

Mundësi ikonik kishte humbur ndjesinë në këmbë dhe përdorte një bastun për të ecur, para se të ndërronte jetë në moshën 71-vjeçare.

Hogan, i lindur si Terry Gene Bollea, ndërroi jetë në një spital në Florida, të enjten në mëngjes, disa ditë pasi ish-bashkëshortja e tij ndau një foto të tij të kaluar.

Raportimet fillestare sugjeruan se ai kishte ndërruar jetë nga një atak kardiak, çka u konfirmua edhe nga policia për “The US Sun”.

Para vdekjes, legjenda e WWE-së kishte vuajtur publikisht nga operacione dhe shtrime të vazhdueshme në spital për dhimbje kronike në qafë dhe shpinë, të shkaktuara nga vitet e gjatë të trajnimeve intensive dhe ndeshjeve në ring.

Vetëm muajin e kaluar, ai ishte shtruar në spital për dhimbje të vazhdueshme në qafë dhe shpinë, duke nxitur spekulime në rrjetet sociale se ai ishte në “shtratin e vdekjes”.

Përfaqësuesit e Hoganit i mohuan këto thashetheme dhe sqaruan se ai ishte shtruar për shkak të të njëjtave probleme shëndetësore që kishte pasur prej vitesh, raportoi në atë kohë TMZ.

Thuhet se ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të përshkruar si një “procedurë e vogël bashkimi”.

Bashkëshortja e tij, Sky Daily, gjithashtu reagoi duke hedhur poshtë spekulimet në rrjetet sociale.

“Jo, ai definitivisht nuk është në koma”, u tha ajo fansave në Instagram Story, sipas PennLive.

“Zemra e tij është e fortë dhe nuk ka pasur kurrë mungesë oksigjeni apo dëmtime në tru. Asnjëra nga këto thashetheme nuk është e vërtetë”.

Sky Daily, një mësuese joge, sqaroi më tej se Hogan ishte duke u rikuperuar nga një procedurë e ndërlikuar.

“Ai është duke u rikuperuar nga një Disektomi e Përparme Cervikale me katër nivele dhe Fuzion – një ndërhyrje kirurgjikale intensive, me një proces të gjatë dhe të vështirë shërimi”, shkroi ajo.

“Nëse e shikoni më afër, do të kuptoni se çfarë kanë përfshirë gjashtë javët e fundit – jo vetëm për shtyllën kurrizore, por edhe për kordat vokale dhe tubat e të ngrënit/frymëmarrjes që janë mbyllur gjatë operacionit”.

ACDF trajton nervat e shtrënguar në qafë duke hequr disqet e dëmtuara dhe duke stabilizuar shtyllën kurrizore.

Daily shtoi se çifti – i martuar në shtator 2023 – kishte qenë “duke hyrë dhe dalë nga spitali” gjatë gjithë kohës së rikuperimit, ndaj nuk kishte vend për dramë të panevojshme të krijuar nga fansat.

“Ai po shërohet dhe ne po e marrim ditë pas dite me dashuri, forcë dhe durim”, shtoi ajo.

Vetëm dy ditë para vdekjes së tij, menaxheri i Hoganit, Jimmy Hart, gjithashtu siguroi fansat se ai ishte në gjendje të mirë.

“Hulk po ia del shumë mirë, po ia del fenomenal”, shkroi Hart në X.

“Mbrëmë në karaoke me Nick-un ishte absolutisht fantastike, zemër”.

Në shkurt të vitit 2023, Hogan ishte fotografuar duke ecur me një bastun.

Një muaj më parë, miku dhe bashkë-mundësi i tij, Kurt Angle, zbuloi se Hogan kishte humbur ndjesinë në gjysmën e poshtme të trupit pas një operacioni të fundit në shpinë.

Duke folur në emisionin e tij “The Kurt Angle Show”, Angle tha: “Atij ia kishin prerë nervat në pjesën e poshtme të trupit. Ai nuk ndiente asgjë nga mesi e poshtë. Për këtë arsye përdorte bastunin për të ecur.”

Ai shtoi: “Fillimisht mendova se përdorte bastunin për shkak të dhimbjes në shpinë… Por ai nuk ka dhimbje. Nuk ndjen asgjë”.

Megjithatë, përfaqësuesi i Hoganit i mohoi këto pretendime dhe sqaroi se ai nuk ishte i paralizuar.

“Gjithçka është në rregull me të. Hulk është një person me shumë humor”, tha zëdhënësi për Entertainment Tonight në atë kohë.

Pas lajmit të ndarjes nga jeta të Hogan, filluan të vërshonin homazhet për figurën e njohur.

“WWE është thellësisht i trishtuar të mësojë se anëtari i Sallës së Famës së WWE, Hulk Hogan, ka ndërruar jetë,” thuhet në deklaratën zyrtare të WWE.

“Një nga figurat më të njohura të kulturës pop, Hogan ndihmoi WWE të arrinte njohje globale në vitet 1980. WWE i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe fansave të tij.”

Ylli legjendar i mundjes, Ric Flair, shkroi: “Jam absolutisht i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të shokut tim të ngushtë.”

“Hulk ka qenë pranë meje që kur kemi nisur karrierën në mundje. Një atlet, një talent, një mik dhe një baba i jashtëzakonshëm! Miqësia jonë ka pasur shumë rëndësi për mua”.

“Ai ka qenë gjithmonë aty për mua, edhe kur nuk ia kam kërkuar. Ishte një nga të parët që më vizitoi kur isha në spital me vetëm 2% shanse për të mbijetuar, dhe u lut pranë shtratit tim”.

“Hulk më ndihmoi financiarisht edhe kur djali im Reid ishte i sëmurë. Hulkster, askush nuk do të krahasohet kurrë me ty! Pusho në paqe, miku im!”, ishte shkrimi i tij. /telegrafi/