
Igli Tare paralajmëron Club Bruggen për Ardon Jasharin: Është oferta jonë e fundit, nuk shkojmë më lartë
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar se Rossonerët kanë bërë një ofertë të përmirësuar për mesfushorin e Club Brugge, Ardon Jashari, duke e cilësuar atë si përfundimtare.
“Ne kemi një marrëdhënie të mirë me Club Brugge dhe kemi bërë një ofertë tjetër për Jasharin,” deklaroi Tare për Gazzetta dello Sport.
“E konsiderojmë të përshtatshme dhe nuk jemi të gatshëm të shkojmë më tej”, tha Tare.
Sipas Gazzetta dello Sport, oferta e parë e Milanit ishte 32.5 milionë euro plus 2 milionë bonuse. Oferta përfundimtare arrin në 33.5 milionë euro, me bonuse që e çojnë totalin në 35 milionë euro.
Jashari ka rënë tashmë dakord për kushtet personale me Milanin dhe dëshiron të veshë fanellën kuqezi. Igli Tare e ka theksuar më parë këtë muaj se 22-vjeçari është i vendosur për t’u transferuar në “San Siro”.
Mesfushori nuk është përfshirë në listën e Club Brugge për ndeshjen e sotme kundër Genk, një sinjal i qartë se një lëvizje mund të jetë afër. Ai gjithashtu mungoi në finalen e Superkupës së Belgjikës kundër Union Saint-Gilloise.
Pavarësisht kësaj, kapiteni i Club Brugge, Hans Vanaken, paralajmëroi javën e kaluar se çmimi i kërkuar për Jasharin është 40 milionë euro. Mbetet të shihet nëse klubi belg do të pranojë ofertën e fundit të Milanit.
Milani duket i vendosur të mos hyjë në një luftë ofertash. Topi tani është në fushën e Club Brugge, ndërsa tifozët kuqezi presin zhvillimet e ditëve në vijim.