Rey Manaj transferohet në Emirate

Sport July 29, 2025 - 22:18

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, është bërë me skuadër të re.

Ai është transferuar nga Sivaspori te Al-Sharjah FC.

Pas dy sezonesh dhe 34 golash të shënuar, 28-vjeçari ka ndërmarrë një tjetër aventurë profesionale, atë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas zyrtarizimit te Sharjah FC, Manaj i ka shkruar një mesazh tifozëve të Sivasporit në rrjetet sociale, duke lënë disa mesazhe të përziera, që mund të kuptohen se ka pasur probleme me klubin.

“Kemi ndarë momente vërtet të veçanta, të cilat askush nuk mund të na i heqë, askush nuk mund ta njollosë atë që kemi arritur. Gjithmonë kam preferuar të mos flas shumë, madje as në momentet më të vështira, për hir tuaj dhe për dashurinë tuaj të pakushtëzuar. Kam gëlltitur shumë gjëra që nuk u bënë siç duhet ndaj meje, por nuk është koha e duhur”, shkruan Manaj në postimin e tij në Instagram.

Ai u thotë fansave se ka qenë besnik nga dita e parë deri në ditën e fundit “dhe gjithmonë do të jem”.

“34 gola dhe 11 asiste në dy sezone, duke u gëzuar së bashku, duke ju parë të lumtur është gjëja më e mirë që më ka ndodhur. Faleminderit për gjithçka, nuk do t’ju harroj kurrë ju dhe familjen time”, shkroi Manaj.

Raportohet se sulmuesi i kombëtares shqiptare do të fitojë 2.5 milionë euro në sezon, duke e bërë atë një prej përfaqësuesve më të paguar të Shqipërisë. 

\