
Leao zbulon se si Allegri ka ndryshuar gjithçka te Milani
Rafael Leao i ka thënë mediave se “gjithçka ka ndryshuar” te Milani me ardhjen e trajnerit të ri Massimiliano Allegri, pasi ai pretendon se “këtë vit Milani do të jetë një ekip i vërtetë”.
Duke folur përpara ndeshjes miqësore parasezonale të së enjtes kundër Perth Glory, ylli portugez gjithashtu i përgëzoi tifozët e Rossonerëve që kanë dalë në mbështetje të klubit në Australi.
“Ka vërtet shumë prej tyre dhe mund ta ndjesh mbështetjen e tyre. Është shumë mirë për ne që luajmë në këtë gjendje. Jemi shumë të lumtur që kemi marrë këtë mirëseardhje dhe do të përpiqemi t’ua shpërblejmë tifozëve me një performancë të mirë kundër Perth”, ka thënë fillimisht Leao.
Pasi vlerësoi tifozët në Australi, Leao vazhdoi të përgjigjej në një pyetje në lidhje me gjendjen aktuale të ekipit.
“Ne kemi një trajner me përvojë që ka fituar tashmë këtu në Milan. Jemi një grup i ri, me disa lojtarë me përvojë që kanë qenë këtu për një kohë të gjatë. Ne po ndërtojmë ekipin, me frymën e duhur që ndihmon edhe kur nuk po luajmë mirë”.
Ish-sulmuesi i Sporting dhe Lille zbuloi gjithashtu se “Gjithçka ka ndryshuar krahasuar me të kaluarën. Mendoj se këtë vit Milani do të jetë një ekip i vërtetë. Kemi lojtarë të rëndësishëm që mund të bëjnë diferencën, por, mbi të gjitha, do të ketë një frymë të shkëlqyer ekipi”, përfundoi sulmuesi.
Është e qartë se Milani po përpiqet t’i bëjë gjërat ndryshe, ndoshta duke ndjekur një qasje më të arsyeshme ndaj mënyrës se si e menaxhon skuadrën dhe kryen biznesin.
Allegri iu bashkua klubit këtë verë së bashku me ish-drejtorin sportiv të Lazios, Igli Tare, dhe klubi ka punuar në disa blerje të arsyeshme. Samuele Ricci duket se po përshtatet mirë në klub, ndërsa Rossonerët vazhdojnë kërkimin e tyre për një qendërsulmues të ri.
Me Santiago Gimenez ende në pushime, Leao ka luajtur në rolin e sulmuesit qendror. Ndërkohë, klubi është lidhur me një transferim të sulmuesit të Juventusit, Dusan Vlahovic.