
Shkëndija nëse kalon Qarabagun, luan ndaj Ludogoretsit ose Ferencvaroshit
Futbollistët e Shkëndijës janë të përqendruar maksimalisht në përballjen e dyfishtë me Qarabagun, në kuadër të turit të tretë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, UEFA tashmë ka përcaktuar çiftet e mundshme për fazën “play-off” të kësaj gare prestigjioze, në të cilën kampioni i Maqedonisë së Veriut mund të marrë pjesë nëse eliminon ekipin nga Azerbajxhani.
Në shortin e hedhur sot në Nion, është përcaktuar menjëherë dueli ku bën pjesë Shkëndija. Fituesi nga përballja Shkëndija – Qarabag do të luajë në fazën “play-off” me fituesin e çiftit Ludogorets (Bullgari) – Ferencvaros (Hungari).
Çiftet e mundshme të fazës “play-off” në Ligën e Kampionëve (Rruga e kampionëve):
Ludogorets / Ferencvaros – Shkëndija / Qarabag
Lech Poznan / Crvena Zvezda – Dinamo Kiev / Pafos
Bodo/Glimt – Sturm Graz
Celtic – Kairat / Slovan Bratislava
Basel – Malmö / Kopenhagen.
Sipas shortit të UEFA-s, nëse Shkëndija arrin në “play-off”, ndeshjen e parë do ta zhvillojë në fushë mysafire më 19 ose 20 gusht, ndërsa takimi i kthimit do të luhet në Shkup më 26 ose 27 gusht.
Kujtojmë se Shkëndija është klubi i dytë më i suksesshëm shqiptar në garat evropiane, pas Skënderbeut të Korçës, që kishte arritur deri në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve dhe luajti në grupet e Ligës së Evropës. Me ecurinë aktuale, tetovarët janë në rrugën drejt një tjetër kapitulli të rëndësishëm në historinë e tyre ndërkombëtare. /Telegrafi