Drita, e gatshme për sfidën e madhe ndaj FCSB-së në Bukuresht

Drita, e gatshme për sfidën e madhe ndaj FCSB-së në Bukuresht

Sport August 07, 2025 - 15:22

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, do të përballet sonte me skuadrën rumune, FCSB, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Takimi zhvillohet nga ora 20:30 në stadiumin “Arena Nacionale” të Bukureshtit.

Në konferencën për media të mbajtur një ditë para ndeshjes, trajneri i Dritës, Zekirja Ramadani, theksoi se skuadra është e përgatitur për një sfidë të vështirë.

“Nesër na pret një përballje shumë e fortë kundër një skuadre me traditë dhe cilësi të lartë, edhe pse po kalon një krizë të vogël që çdo klub mund ta ketë. Ne jemi të përgatitur të japim maksimumin përballë FCSB-së”, u shpreh Ramadani.

Ai komentoi edhe eliminimin e FCSB-së nga Shkëndija në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, duke theksuar se nuk ishte i befasuar nga ky rezultat, për shkak të cilësisë që posedon klubi nga Tetova.

“Nuk është befasi për mua si trajner që kam ardhur nga Maqedonia. E njoh mirë Shkëndijën dhe cilësinë e saj. E pamë që pati edhe fatin me vete, që në futboll është gjithmonë faktor”, shtoi ai.

FCSB, skuadra më e suksesshme në historinë e futbollit rumun, është aktualisht në krizë rezultatesh, pasi ka humbur katër ndeshjet e fundit.

Nëse arrin ta eliminojë FCSB-në, Drita do të përballet në “play-off”in e Ligës së Evropës me skuadrën skoceze Aberdeen. Në rast se eliminohet, ajo do të transferohet në “play-off”in e Ligës së Konferencës, ku e pret fituesi i duelit mes Differdange (Luksemburg) dhe Levadia (Estoni).

\