Shkëndija mbrojtjen e titullit kampion e nisi me fitore ndaj Shkupit

Shkëndija mbrojtjen e titullit kampion e nisi me fitore ndaj Shkupit

Sport August 08, 2025 - 19:10

Me ndeshjen Shkëndija Shkupi ka nisur sezoni i ri futbollistik në Maqedoninë e Veriut, njofton Telegrafi.

Në përballjen që dikur ishte derbi i madh shqiptar, Shkëndija nuk tregoi mëshirë ndaj Shkupit të dobësuar dhe me shumë probleme që ka nisur këtë sezon, ndërsa sot e kishte nisur ndeshjen me shtatë futbollistë nga shkolla e futbollit.

Ndeshja nisi me dominim të kuqezinjve , ndërsa goli i parë në ndeshje dhe në sezonin e ri e shënoi Florent Ramadani, në minutën e 8-të. Shkupi barazoi përmes Hajvali gjashtë minuta më vonë, ndërsa në minutën e 17-të bardhekaltrit mbetën me një lojtar më pak për shkak të dy kartonëve të verdhë për Rustemin. Arbin Zejnullai në minutën e 22-të, e rriti epërsinë për 2:1.

Në pjesën e dytë ishte mëse e qartë se Shkëndija do të jetë shumë më stabile, duke marrë parasysh edhe epërsinë numerike që kishte në fushë por edhe kualitetin, trajneri Beqiri futi në lojë edhe Krasniqin dhe ibraimin, e ky i fundit ishte autor i dy golave, në të 70-të dhe të 76-të, Besart Ibraimi shënoi dy herë për të nisur edhe një sezon furishëm për të mbrojtur epitetin e golashënuesit më të mirë të kampionatit. Ibraimi më pas në minutën e 82-t asistoi për të shënuar golin e pesat Shkëndija me anë të Liridon Latifit.

Deri në fund të ndeshjes Shkëndija kishte dhe disa raste për të shënuar edhe gola të tjerë, por duhet potencuar edhe ndërhyrjet e mira që kishte portieri gjerman i Shkupit, Maximilian Grote, i cili ishte i pafuqishëm që të bëjë më shumë në këtë përballje.

Kur po luhej minuta e 60-të tifozët mysafirë të FC Shkupi “Shvercerat” u larguan nga stadiumi, përkatësisht nga tribuna ku ishin vendosur që në fillim të ndeshjes. “Shvercerat” të pakënaqur me zhvillimet në klubin e tyre, shprehën zemërimin kundrejt kryesisë së klubit, ata lanë edhe një mesazh, dhe kështu nuk e ndoqën ndeshjen deri në fund. Përndryshe, dihet se prej kohësh “Shvercerat” dhe drejtuesit e Shkupit janë në marrëdhënie të këqija. Në porosinë drejtuar kryesisë së klubit shkruhej: “Na besuat fjalë, na shitët mashtrime. Shkupi nuk ka vend për mashtrues”

Duhet theksuar se Shkëndija në këtë ndeshje luajti me një formacion dukshëm të ndryshuar në krahasim me ndeshjet evropiane, ndërsa për Shkupin i cili vazhdon të dëshmojë se është në krizë të madhe, në formacionin fillestar kishte shtatë futbollistë të rinj.

Shkëndija tani do të përqendrohet në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë të Ligës së Kampionëve që e luan në Baku kundër Qarabagut, ndërsa Shkupin e presin shumë punë nëse dëshiron që të stabilizohet për të qenë kundërshtarë i denjë në kategorinë e më të mirëve. /telegrafi

\