
Ballkani luan në Irlandë ndaj Shamrockit, synohet rezultat pozitiv dhe kualifikim
Ballkani përballet sonte me Shamrock Rovers në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Ligës së Konferencës.
Nënkampioni i Kosovës ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0.
Tani, kualifikimi do të vendoset në Tallaght Stadium në Dublin, ku të dy skuadrat kanë të njëjtin synim, fitoren dhe kalimin në raundin tjetër.
Vendasit shpresojnë për një përmbysje të madhe para tifozëve të tyre, ndërsa skuadra e Orges Shehit synon të mos mposhtet në Dublin dhe të sigurojë kualifikimin.
Ballkani, i njohur për lojën e disiplinuar dhe tranzicionet e shpejta, pritet të shfrytëzojë epërsinë e një goli për të menaxhuar ndeshjen.
Shamrock Rovers, nga ana tjetër, do të kërkojë të shënojë herët për të ushtruar presion mbi nënkampionin kosovar.
Dueli mes Shamrock Rovers dhe Ballkanit zhvillohet sonte, me fillim nga ora 21:00. /Telegrafi