
Hansi Flick shpreh hapur pakënaqësinë ndaj drejtuesve të Barcelonës në konferencën për media
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka pranuar se nuk është i kënaqur me mënyrën sesi klubi po e trajton çështjen e regjistrimit të lojtarëve. Teksa kampionët e La Ligës po i afrohen ndeshjes së parë të sezonit, blaugranasit ende nuk kanë arritur të regjistrojnë gjashtë lojtarë.
Edhe sezonin e kaluar, Flick ishte pa Dani Olmo për dy ndeshjet e para, pasi Barcelona kishte vështirësi në regjistrimin e përforcimeve të reja.
Këtë vit, historia po përsëritet, me Joan Garcia ende të paregjistruar dhe me Barcelonën që ndoshta do të detyrohet të përdorë rregullin e dëmtimit për ta bërë të mundur regjistrimin e tij.
Ky problem ishte një nga temat kryesore në konferencën për shtyp, ku Flick tregoi hapur pakënaqësinë e tij.
“Për mua, është një situatë që nuk më bën të lumtur. Kam besim te klubi, duhet të presim deri nesër. Edhe sezonin e kaluar ndodhi kështu”.
“Ne po fokusohemi te gjërat që i kemi në dorë. Kaq kam për të thënë për këtë temë”, ka thënë Flick fillimisht.
Ndërkohë, një nga temat më të diskutuara këtë javë në mediat spanjolle ka qenë ajo e “ndeshjes në SHBA”, pasi Federata Spanjolle e Futbollit ka miratuar një propozim për të zhvilluar përballjen mes Villarrealit dhe Barcelonës në Miami.
Kjo ide është pritur me kritika të shumta. Flick u pyet nëse mendon se Barcelona do të ketë ndonjë përparësi, duke qenë se Villarreal do të humbasë avantazhin e fushës së vet.
“Nuk e di çfarë të them, nuk kam menduar ende për këtë. As nuk e dimë nëse do të ndodhë. Nuk i kushtoj kohë kësaj çështjeje. Jam i përqendruar vetëm te ndeshja e radhës”, përfundoi ai.