
Vedat Bajrami për TMW: Zemra e Zhegrovës ishte e vendosur te Juventusi
Aktori i njohur kosovar, Vedat Bajrami, një mik i hershëm i yllit të ri të Juventusit, Edon Zhegrova, u intervistua nga Tuttomercatoweb dhe dha mendimet e tij për gjithçka që u pyet mbi jetën, karrierën dhe transferimin e fundit të yllit të Dardanëve.
Zhegrova kompletoi transferimin e tij nga Lille te Juventusi në ditën e fundit të afatit kalimtar veror për një shifër të raportuar prej 14.5 milionë euro, e cila me bonuse mund të shkojë deri në 18 milionë.
Transferimi i tij ka bërë bujë të madhe në Itali dhe mediat vendore i kanë dhënë shumë hapësirë duke bërë lajme të ndryshime rreth profilit të Zhegrovës, por edhe intervista të ndryshme me akterë të afërt me lojtarit.
I fundit nga ta është aktori Vedat Bajrami, i cili nga fillimi ka qenë i afërt me sulmuesin anësor nga Prishtina.
A mund të na tregoni si filloi marrëdhënia juaj? Ju jeni aktor, ai është futbollist.
“Unë jam aktor me një karrierë 25-vjeçare pas meje dhe aktrimi të lidh me njerëz në shumë fusha. Kontakti im i parë me Zhegrovën ishte 14 vjet më parë kur pashë këtë lojtar nga qyteti im i lindjes dhe klubi i Prishtinës, i cili ishte vetëm 13 vjeç në atë kohë”, ka thënë fillimisht Bajrami për Tuttomercatoweb.
Si ishte ai?
“Një djalë i ëmbël, premtues në sport. E pashë në YouTube dhe u shokova: ‘Ky është një superlojtar’, mendova. Më besoni, ai mund të kalonte mbi një ekip të tërë kundërshtar me topin në këmbë. E bëri këtë në ndeshjen që pashë, ku shënoi edhe një gol”.
Dhe pastaj?
“E pashë këtë djalë që lindi mes sakrificës, luftës dhe kohërave të vështira në Kosovë. Si aktor, kisha kontakte dhe miq në të gjithë botën në atë kohë, kështu që e thirra babanë e tij, Lulzim Zhegrova, i cili ishte në stadium me Edonin. Ata erdhën në zyrën time, u gëzova dhe e përqafova Edonin. Ai ishte rritur me filmat dhe komeditë e mia, ishte i magjepsur kur mbërriti, por ai moment ishte pika e kthesës për kalimin e tij në Evropë. E fillova këtë punë me gjithë zemër me disa miq belgë. Vitet kaluan, ai u rrit në Evropë, në Belgjikë, në Bazel, në Francë te Lille dhe më në fund ëndrra e madhe e Juventusit”, përcjell Telegrafi.
A ke folur me të kohët e fundit?
“Gjithmonë. Kam kaq shumë histori me Edonin, kaq shumë lot dhe kaq shumë buzëqeshje dhe kaq shumë momente të mira dhe të vështira. Komunikojmë vazhdimisht për gjithçka. Ai më quan “Grande” dhe unë e quaj atë “Vëllai Im”. Ai nuk ka luajtur aq shumë sa donte në tetë muajt e fundit sepse kishte një dëmtim të vogël. Iu desh pak kohë për t’u shëruar siç duhet, duke bërë shumë sakrifica”.
Dhe çfarë ju tha ai për tregun e transferimeve?
“Ai ka pasur shumë oferta që nga janari. Ka pasur oferta nga Liga Premier te Napoli, deri te Marseille. Ka pasur gjithashtu kontakte në periudhën paraprake me klube të tjera si Juventus, Milan dhe Roma”.
Si e zgjodhi Juventusin?
“Personalisht, i thashë: ‘Vëlla, cilin nga këto klube zgjedh zemra jote? Mos mendo për paratë, por për futbollin'”.
Dhe çfarë tha ai?
“Ai u përgjigj: ‘Zemra ime thotë Juventus'”. Kjo ndodhi më 31 gusht. Po atë ditë, dasma e vëllait të tij ishte në Prishtinë. Një gëzim i dyfishtë. Ai u nis për në Torino, ndërsa unë dhe familja e tij mbërritëm nga dasma në Torino pa fjetur. Ishte një gëzim i madh. 80 vjet pasi legjenda e Kosovës Riza Lushta luajti për Juventusin, vëllai im Edon Zhegrova mbërriti gjithashtu te bardhezinjtë”, transmeton Telegrafi.
Çfarë prisni nga Zhegrova në Itali? A është gati për një ekip të madh si Juventusi?
“Edoni u rrit në një qytet të pasur me histori, Prishtina e bukur. Ai la gjurmë si futbollist në klubet evropiane dhe, sigurisht në pjekurinë dhe shkëlqimin e tij më të madh si atlet, ai iu bashkua një ekipi me një bazë të madhe tifozësh, një histori të gjatë dhe trofe të shumtë si Juventusi. Edoni është një supermen dhe një supertalent. Mendoj se lojtarët e mëdhenj lindin për klube të mëdha si Juventusi”.
Do të ketë emocione edhe në shtëpi…
“Juventusi ka shumë tifozë shqiptarë që e duan dhe e ndjekin me gjithë zemër. Dua t’i përshëndes të gjithë ata dhe të gjithë tifozët dhe stafin e këtij klubi bardhezi me kaq shumë histori dhe emocione. Zhegrova erdhi për të luftuar për këtë fanellë dhe është i etur të tregojë klasin e tij. Atë të një lojtari që luan me zemër, që përpiqet të japë asistime dhe gola për ta bërë këtë klub edhe më të fortë. Shpresoj që kjo të ndodhë shumë shpejt”.
A mund të na tregoni një histori për të dhe si është jashtë fushës?
“Jam shumë i afërt me të. Ai ka një sens të shkëlqyer humori, është shumë inteligjent, krijues dhe i sjellshëm – një pikë e fortë jashtë fushës së futbollit. Edoni bën muzikë për veten e tij dhe, për të qenë i sinqertë, është një artist i shkëlqyer i repit dhe hip-hopit. Ai e do muzikën, por e bën vetëm për veten e tij, për t’u ndjerë mirë. Kemi shkruar edhe disa këngë së bashku, por janë private. Ndoshta do të bëjmë një për Juventusin, por le të presim pak derisa të përshtatet në fushë dhe pastaj do të mendojmë për këtë (qesh)”, përfundoi aktori kosovar. /telegrafi/