Për dyshen e Barcelonës, Grealish: Kënaqësi për t’u parë

Për dyshen e Barcelonës, Grealish: Kënaqësi për t’u parë

Sport September 19, 2025 - 11:20

Jack Grealish përdori rrjetet sociale për të lavdëruar dy yje të Barcelonës.

Grealish vlerësoi dy lojtarë të Barcelonës, pasi skuadra e Hansi Flick mposhti Newcastle Unitedin në UEFA Champions League.

Gjigantët spanjollë të La Ligës, Barcelona, nisën fushatën e tyre të Ligës së Kampionëve 25/26 kundër skuadrës së Premier League, Newcastle, në St. James’ Park të enjten mbrëma.

Para nisjes së ndeshjes, tifozët vendas krijuan një atmosferë mahnitëse, teksa të dy skuadrat dolën në fushë për përballje.

Megjithatë, tifozët e “Magpies” u zhgënjyen në fund, pasi një dopietë e Marcus Rashford i dha Barcelonës fitoren 2-1. Për skuadrën e Eddie Howe shënoi Anthony Gordon.

Në një postim në rrjete sociale, Grealish – i huazuar te Everton nga Manchester City – veçoi dyshen e Barcelonës, Pedri dhe Frenkie de Jong, duke i cilësuar si “kënaqësi për t’u parë”.

Dyshja e mesfushës dhuroi një paraqitje të shkëlqyer, duke luajtur rol vendimtar në fitoren e Barcelonës.

Grealish postoi një foto të tij duke parë ndeshjen me mbishkrimin: “Pedri dhe De Jong janë kënaqësi për t’u parë.”

Ndërkohë, ish-ylli i Aston Villa, Dion Dublin, gjithashtu lavdëroi mesfushën e Barcelonës.

Ai tha për BBC Radio 5 Live:

“Barcelona e dinte shumë mirë se nuk do të mund ta dominonte fizikisht këtë mesfushë të Newcastle, por ata mund të qarkullonin topin dhe ta mbanin. Ata e bënë të duket shumë e lehtë.

Duhet të veçoj Jules Kounde, ishte fantastik në krahun e djathtë sonte”.

Trajneri i Barcelonësw, Flick, i gëzuar pas përfundimit të ndeshjes, tha për TNT Sports:

“Ishte një atmosferë fantastike. Pamë si po luante Newcastle me intensitet të lartë. Kjo ishte ajo që prisnim. Kishim besim dhe besonim te forcat tona.

Është shumë e rëndësishme të marrësh tri pikë që në fillim të sezonit. Vitin e kaluar humbëm ndaj Monacos. Kjo na ndihmon të përmirësohemi gjithnjë e më shumë”.

Barcelona do të rikthehet në La Liga këtë fundjavë, kur të përballet me Getafe në Estadi Johan Cruyff të dielën mbrëma.

Image