KFV Prishtina: Është koha të shohim edhe golat e vajzave

KFV Prishtina: Është koha të shohim edhe golat e vajzave

Sport September 20, 2025 - 12:52

Klubi i Futbollit të Vajzave Prishtina (KFV Prishtina) ka bërë thirrje publike për më shumë mbulim mediatik të futbollit të vajzave, duke nisur një fushatë sensibilizuese nën moton #SeeHerScoring. Ky apel vjen në një kohë kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka mundësuar transmetimin e drejtpërdrejtë të ndeshjeve të Superligës së vajzave në platformën FIFA+, por raportimi në media vazhdon të mbetet i kufizuar.

Në elitën e futbollit të vajzave në Kosovë këtë vit garojnë gjashtë ekipe: KFV Prishtina, KFF Mitrovica, KFF Malisheva, KFF Dukagjini, KFF Feronikeli dhe KFF Ulpiana.

Sipas klubit kryeqytetas, futbollistet e këtyre skuadrave nuk janë vetëm sportiste, por edhe ambasadore të barazisë gjinore në sport, ndërsa fitoret dhe golat e tyre shpesh nuk pasqyrohen në lajmet e mbrëmjes apo kronikat sportive.

“Ne japim gjithçka në fushë, por shpesh ndihemi të padukshme. Futbolli është edhe i yni,” deklarojnë futbollistet e KFV Prishtina, duke kërkuar më shumë hapësirë dhe vëmendje nga mediat kombëtare.

Klubi thekson se çdo artikull, kronikë apo minutë transmetimi për futbollin e vajzave është një investim në barazi dhe në edukimin e brezave të rinj.

Kosova tashmë ka një strukturë të plotë ligash për vajza, nga Superliga deri te kampionatet e moshave U17 dhe U13–15, duke rritur qindra vajza me ëndrrën për të luajtur në elitë. Për këtë arsye, KFV Prishtina apelon tek redaksitë dhe gazetarët sportivë që të mbulojnë me prioritet ndeshjet, të ndajnë emocionet e vajzave me publikun dhe të realizojnë intervista e storie inspiruese.

Sipas klubit, më shumë mbulim mediatik do të nxisë pjesëmarrjen e vajzave në sport, do të promovojë barazinë gjinore dhe do të rrisë cilësinë dhe shikueshmërinë e kampionatit.

“Mbulimi i futbollit të vajzave është më shumë se raportim sportiv, është çështje drejtësie dhe fuqizimi,” thuhet në njoftim.

Fushata #SeeHerScoring synon të vendosë futbollin e vajzave në qendër të vëmendjes publike dhe të sigurojë që golat dhe emocionet e tyre të mos mbeten më në hije.

“Le t’i shohim edhe golat e vajzave,” është mesazhi i drejtpërdrejtë që KFV Prishtina ua drejton mediave dhe opinionit publik.