Trepça të hënën nis aventurën evropiane në kualifikimet e Ligës së Kampionëve

Trepça të hënën nis aventurën evropiane në kualifikimet e Ligës së Kampionëve

Sport September 20, 2025 - 14:21

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, do të ketë një tjetër sfidë të madhe në arenën ndërkombëtare.

Mitrovicasit për herë të dytë radhazi marrin pjesë në kualifikimet e Basketball Champions League, të cilat këtë vit do të zhvillohen në Samokov të Bullgarisë nga 19 deri më 25 shtator. Në ndeshjen e parë, “Xehetarët” do të përballen me skuadrën e njohur holandeze Heroes Den Bosch, të hënën nga ora 20:00.

Fituesi i kësaj sfide do të kualifikohet në gjysmëfinale, ku e pret përballja me më të mirin mes Bakken Bears (Danimarkë) dhe BC Kutaisi 2010 (Gjeorgji).

Në total, 24 ekipe do të garojnë në tre turne të Raundit Kualifikues. Për të siguruar një vend në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për herë të parë në histori, Trepça duhet të triumfojë në tri ndeshje radhazi. Në rast se nuk arrin objektivin, atëherë do të vazhdojë garën në grupet e FIBA Europe Cup, ashtu si në edicionin e kaluar.