Aulona Muhadri emërohet kapitene e re e Kombëtares së Kosovës në basketboll

Aulona Muhadri emërohet kapitene e re e Kombëtares së Kosovës në basketboll

Sport September 20, 2025 - 15:55

Gjatë lansimit të programit strategjik “Basketbolli 3.0” nga Federata e Basketbollit të Kosovës, të mërkurën mbrëma, është zyrtarizuar emërimi i Aulona Muhadrit si kapitenja e re e Kombëtares së Kosovës në basketboll.

Muhadri, e emocionuar pas marrjes së këtij roli të rëndësishëm, theksoi se basketbolli për të ka qenë gjithmonë më shumë se një lojë, një pasion i thellë, një sfidë e përhershme dhe një mënyrë për të shprehur përkushtimin dhe dashurinë ndaj sportit.

“Si kapitene e Kosovës, për mua basketbolli nuk ka qenë asnjëherë vetëm lojë, ka qenë gjithmonë pasion, sfidë dhe mënyrë për të treguar atë që dimë më mirë: përkushtimin, energjinë dhe dashurinë për sportin,” deklaroi Muhadri.

Duke folur për programin “Basketbolli 3.0”, kapitenja e re e cilësoi atë si një fillim të ri për basketbollin kosovar, duke theksuar se ky projekt shkon përtej parketit. Sipas saj, qëllimi është të frymëzojë të rinjtë, të përfshijë komunitetin dhe të forcojë lidhjen mes lojtarëve, klubeve dhe tifozëve.

“Ky projekt është një hap i madh për të gjithë ne – lojtarët, klubet, tifozët dhe komunitetin. Basketbolli 3.0 është për të frymëzuar, për të bashkuar njerëz dhe për ta bërë çdo moment në parket të vlefshëm,” shtoi ajo.

Ky vendim shënon një etapë të re për Kombëtaren e Kosovës, e cila synon të rrisë nivelin dhe ndikimin e basketbollit në vend.