
Këndellet Arsimi, merr tri pikë duke fundosur Shkupin
Java e tetë e kampionatit elitar të Maqedonisë së Veriut u hap me dy ndeshje mjaft interesante. Në Gostivar, Arsimi dhe Shkupi dhuruan spektakël me plot gjashtë gola, ndërsa në Kavadar, Tikveshi ia doli të marrë tri pikë shumë të vlefshme ndaj Makedonija Gj.P, njofton Telegrafi.
Në një atmosferë të zjarrtë në stadiumin e Gostivarit, Arsimi arriti fitore, duke e mundur Shkupin me rezultat 4-2 dhe duke siguruar kështu triumfin e dytë në elitë.
Skuadra vendase e nisi ndeshjen fuqishëm dhe qysh në minutën e 16-të kaloi në epërsi. Megjithatë, mysafirët nga Çairi reaguan shpejt dhe në minutën e 35-të portugezi Ribeiro shënoi një gol të bukur për 1-1. Pak para pushimit, Arsimi riktheu epërsinë që u finalizua nga Shefit Shefiti në minutën e 45-të (2-1).
Në pjesën e dytë, Shkupi tentoi të kthehet në lojë. Pas disa rasteve, barazimi erdhi në minutën e 76-të, kur Ardit Destani mposhti portierin e Arsimt dhe vendosi shifrat 2-2. Por reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm, vetëm pas nëntë minutash, Leonid Ignjatovi me një goditje me kokë riktheu epërsinë për Arsimin (3-2). Vetëm një minutë më pas, Shefiti fitoi dhe ekzekutoi saktë një penallti, duke realizuar golin e tij të dytë personal dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-2.
Kjo fitore e çon Arsimin në kuotën e 8 pikëve dhe e ngjit në vendin e shtatë, ndërsa Shkupi vazhdon të mbetet “i ngujuar” në fund të tabelës pa asnjë pikë pas tetë xhirove.
Në ndeshjen tjetër, Tikveshi triumfoi ndaj Makedonija Gj.P. me rezultat 2-1. Për vendasit shënuan Sadik (9’) dhe Ivanovski (67’), ndërsa golin e vetëm për mysafirët e realizoi Stoilov nga penalltia (56’).