
Barcelona mëson se sa kohë do të mbetet jashtë fushave Joan Garcia
Ylli i Barcelonës, Joan Garcia, mbetet jashtë fushave pas një operacioni të suksesshëm në gju, me portierin që rrezikon të mungojë në përballjen e madhe “El Clasico” kundër Real Madridit në fund të tetorit.
Portieri 24-vjeçar, i transferuar këtë verë nga Espanyol për 25 milionë euro, është përjashtuar nga loja për një periudhë prej katër deri në gjashtë javë, pas një ndërhyrjeje artroskopike në meniskun e këputur të gjurit të majtë.
Barcelona konfirmoi të premten se operacioni i Garcias ka qenë i suksesshëm, megjithatë është periudha e rikuperimit ajo që do të përcaktojë numrin e ndeshjeve që ai do të humbasë.
Lëndimi i tij është i ngjashëm me atë që pësoi bashkëlojtari Gavi më herët gjatë javës, ndonëse në rastin e mesfushorit dëmtimi ishte dukshëm më i rëndë, duke e lënë jashtë për deri në pesë muaj.
Parashikimi për Garcian është më pak shqetësues, por edhe katër javë mungesë e vendosin në një garë me kohën për të qenë gati për “El Clasicon” e planifikuar më 26 tetor.
Nëse qëndron jashtë për gjashtë javë, ai thuajse me siguri do ta humbasë përballjen me Real Madridin.
Që nga momenti i mbërritjes nga rivalët e qytetit Espanyol, Garcia nuk humbi kohë për të konsoliduar vendin si portieri numër një i Barcelonës.
Që në ditën e parë, Hansi Flick i besoi atij fanellën e titullarit dhe ai e nisi çdo ndeshje të këtij sezoni, duke fituar shpejt simpatinë e tifozëve për sigurinë në portë.
Me vetëm pesë gola të pësuar në shtatë ndeshje të La Ligas, spanjolli është vlerësuar për refleksin dhe qetësinë e tij, edhe pse të enjten u kritikua për një pasim të gabuar që çoi në golin e parë të Oviedos.