Tërnoci e priti ekipin serb për ndeshjen e paralajmëruar si të rrezikshme, por Mladost nuk paraqitet

Tërnoci e priti ekipin serb për ndeshjen e paralajmëruar si të rrezikshme, por Mladost nuk paraqitet

Sport September 28, 2025 - 18:21

Ndeshja ndërmjet ekipit shqiptar, Tërnoci, dhe atij serb, Mladost, e planifikuar për të dielën në kuadër të xhiros së katërt të Ligës Rajonale të Pçinjës në Serbi, nuk është zhvilluar.

Ekipi mysafir, Mladost, nuk ka udhëtuar për ta zhvilluar ndeshjen, ndërsa Tërnoci pritet ta fitojë me rezultat zyrtar 3:0.

“Nuk kanë udhëtuar fare. Nuk janë paraqitur. Nuk kemi pasur asnjë informatë se nuk do të udhëtojnë. Nuk na kanë njoftuar as neve, as Federatën e Policinë. Pasi nuk u paraqitën, ndeshja u shpall e përfunduar. Presim fitore 3:0 dhe sipas informatave, Federata mund të marrë masa ndaj Mladostit”, ka deklaruar kryetari i Tërnocit, Jusuf Hasani.

Në një deklaratë për media, klubi KF Tërnoci deklaroi se janë bërë të gjitha përgatitjet e kërkuara.

"Ne gjithmonë jemi të gatshëm dhe çdoherë brenda suazave të sportit. Për fatin e keq të shikuesve të shumtë të ekipit tonë, ndeshja e sotme me Mladostin nga Bosilegradi nuk u zhvillua pasi mysafirët nuk udhëtuan në fushën tonë. Sigurimi i të gjitha masave nga klubi ynë, të kërkuara nga Federata dhe Policia, dëshmon pjekurinë dhe gatishmërinë tonë, që janë në nivele shumë më të larta se sa mendojnë të tjerët. Ne konsiderojmë se sporti bashkon njerëzit dhe se në futboll, fusha është ajo që tregon kualitetet e një skuadre. Rezultati zyrtar 3:0 nuk na bën shumë përshtypje. Dëshira e flakët e djelmoshave tanë ishte që në fushë ta mundnim kundërshtarin pamëshirshëm! Forca KF Tërnoci!", thuhet në njoftimin e klubit shqiptar.

Ndeshja ishte cilësuar me rrezikshmëri të lartë pas incidenteve të prillit. Në takimin e zhvilluar në Bosilegrad, ku Mladost ishte vendas, ndeshja ishte ndërprerë pas ndërhyrjes së disa zyrtarëve policorë serbë, njëri prej të cilëve kishte sulmuar fizikisht një lojtar të Tërnocit.

Lojtarët e Tërnocit, që vijnë nga një vendbanim me shumicë shqiptare në afërsi të Bujanocit, kishin përjetuar kontrolle dhe marrje në pyetje. Videot e publikuara tregonin kontrollimin e çantave të lojtarëve në zhveshtore, ku sipas pretekstit, lojtarët shqiptarë dyshohej se mbanin armë të ftohta.

Image