Kush është Albian Hajdari, ylli i ri që la Zvicrën për Kosovën

Kush është Albian Hajdari, ylli i ri që la Zvicrën për Kosovën

Sport September 29, 2025 - 14:08

Pas Leon Avdullahut, edhe një supertalent ka vendosur të luajë për Kosovën, duke u larguar përfundimisht nga Kombëtarja e Zvicrës.

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Albian Hajdari, i cili luan te skuadra gjermane Hoffenheim.

Hajdari e ka nisur karrierën në akademinë e Baselit, pastaj kaloi te gjiganti italian Juventusit në një marrëveshje prej 4.5 milionë euro. Juve e riktheu sërish në Zvicër, këtë herë te Lugano, që u impresionuan nga lojtari dhe e blenë përfundimisht.

Pas disa viteve te Lugano, Hajdari verën e kaluar bëri lëvizjen e madhe për t’iu bashkuar Hoffenheimit, të cilët shpenzuan 5 milionë euro për ta blerë kosovarin.

Hajdari përndryshe ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës, si dhe për ekipin A në një ndeshje miqësore. Tani, ai do të mbrojë ngjyrat e fanellës së Kosovës me synimin që të na kualifikojë për Kupën e Botës.

Vendimi i Hajdarit pa dyshim e ka “lënduar” Federatën Zvicerane, pasi siç shkruan “Blick”, është më i dhimbshëm sepse ka luajtur për ekipin A në një ndeshje miqësore, si dhe është ftuar në disa kualifikuese, megjithatë Murat Yakin s’i dha asnjë minutë për ta “djegur”.

“Për dallim nga Avdullahu, çështja e Hajdarit është më e dhimbshme për Federatën Zvicerane. Ish lojtari i Luganos është ftuar disa herë nga Murat Yakini në ekipin A”.

Ndërkohë, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi në një intervistë për Telegrafin u shpreh më i lumtur se kurrë që Hajdari ka vendosur të veshë fanellën dardane.

"Është një punë shumë e mirë që është bërë. Dua ta falënderojë Albianin për këtë vendim që është i natyrshëm, pasi ka zgjedhur vendin e vet, ka zgjedhur vendlindjen e prindërve të vet dhe fundi i fundit guri i rëndë peshon në të vet. Dua t'i falënderojë prindërit e Albianit që e kanë rritur me atdhedashuri djalin e tyre".

Hajdari mund të ketë rol të rëndësishëm te Kosova qysh në ndeshjet e tetorit (ndaj Sllovenisë dhe Suedisë), meqenëse mungon kapiteni Amir Rrahmani si pasojë e lëndimit.