
FIFA dënon Serbinë me 80 mijë franga
Komisioni Disiplinor i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) e ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë me 80 mijë franga zvicerane dhe me uljen e kapacitetit të stadiumit për ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës kundër Shqipërisë.
Në njoftim thuhet se FIFA e ka marrë këtë vendim për shkak të incidenteve në ndeshjen me Anglinë, e cila u luajt më 9 shtator në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd, takim të cilin Anglia e fitoi me rezultatin 5-0.
“Komisioni Disiplinor i FIFA-s mori vendimin që FFS të dënohet me gjobë prej 80 mijë franga zvicerane për incidentet që lidhen me rendin dhe sigurinë, si dhe për sjelljen e papërshtatshme dhe diskriminuese të disa tifozëve gjatë ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026, Serbi-Angli”, thuhet në faqen zyrtare të FFS.
Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka treguar shkeljet për të cilat është dënuar FFS:
“Pamundësia për të siguruar rend dhe disiplinë brenda dhe rreth stadiumit, përdorimi i lazerëve dhe gjesteve, fjalëve e objekteve të papërshtatshme, pengesa gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare dhe sjellja diskriminuese e disa tifozëve”, njofton FFS.“Përveç gjobës, FFS i është urdhëruar që ndeshjen e ardhshme zyrtare të ekipit A të FIFA-s kundër Shqipërisë në Leskoc ta zhvillojë me numër të kufizuar shikuesish. Me këtë rast, do të mbyllet të paktën 20% e kapacitetit të tribunave, kryesisht pas portave”, thekson FFS.
Kapaciteti i stadiumit në Leskoc është pak më shumë se 8.000 vende, ndërsa sipas vendimit të FIFA-s, do të ulet për rreth 1.600 vende.
“Sipas vendimit, FFS është e obliguar që FIFA-s t’i dorëzojë planin e shpërndarjes së vendeve më së voni dhjetë ditë para ndeshjes, me mundësinë që, me aprovimin paraprak të FIFA-s, një pjesë e kapacitetit të plotësohet me komunitete dhe grupe me interes të veçantë (familje, nxënës, organizata që merren me luftën kundër diskriminimit). Plani duhet të përfshijë edhe aktivitete të qarta kundër diskriminimit”, përfundon njoftimi i FFS.
Shqipëria më 11 tetor, në orën 20:45, do të luajë ndaj Serbisë në Leskoc, në stadiumin “Duboqica”, në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Kuq e Zinjtë kanë 8 pikë në vendin e dytë, 1 pikë më shumë se Serbia e vendit të tretë por që ka zhvilluar një ndeshje më pak.