
Barcelona – Olympiakos mund të luhet në Camp Noun e ri
Vendimi është marrë tashmë. Ndeshja mes Barcelonës dhe Olympiacos, e vlefshme për xhiron e tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, sipas të gjitha gjasave do të luhet në stadiumin e ri “Spotify Camp Nou”.
Njoftimi vjen direkt nga UEFA, në faqen e saj zyrtare dhe zbulon se stadiumi me ngjyrat Blaugrana do të rihapë portat e tij për ndeshjen evropiane të planifikuar për 21 tetor.
Ndërkaq, ndeshja e La Ligës kundër Gironës do të luhet tri ditë më herët.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar për këtë ndeshje të fundit, por këshilli i qytetit e ka shprehur besimin se ndeshja mund të luhet në Camp Nou, raporton “MARCA”.
Jaume Collboni, kryetar i bashkisë tha: “Shpresojmë që të bëhen rregullimet e nevojshme dhe që, nga një perspektivë sigurie, të jepet drita jeshile për një rihapje të pjesshme të Camp Nout. Mendoj se problemet e vogla ekzistuese mund të zgjidhen.”
Megjithatë, nuk është e sigurt që duke u rikthyer në Camp Nou në ligën spanjolle, Barcelona do të jetë në gjendje të luajë edhe në Ligën e Kampionëve.
Kjo për shkak se UEFA kërkon që ndërtimi i stadiumit të jetë më i avancuar sesa që kërkohet nga La Liga.
Në këtë rast, kapaciteti do të rritej nga 27,000 në 45,000 spektatorë.
Dhe ende nuk është dhënë miratimi zyrtar që Barcelona ta luajë fazën e ligës së Championsit në dy stadiume të ndryshme, duke i pasur parasysh rregulloret.
Nesër, skuadra e Flick do të luajë në Montjuïc kundër PSG-së, kështu që UEFA do të duhet të japë leje të veçantë.
Megjithatë, Barcelona është duke e pritur një përgjigje pozitive ndaj kërkesës së saj, pasi nuk është çështje fitimi, por domosdoshmërie.
Sidoqoftë, vetëm konfirmimi zyrtar nga UEFA do ta japë dritën jeshile për të luajtur në Camp Noun e ri, pavarësisht njoftimit paraprak të publikuar në faqen zyrtare të institucionit më të lartë të futbollit evropian.